2009-03-10 17:43:16

Kriza financiare botërore në qendër të simpoziumit për varfërinë që u mbajt në Vatikan


(10.03.2009 RV)RealAudioMP3 U mbyll në Domus Santa Marta, në Vatikan, simpoziumi për ndihmën ndaj të varfërve të gjithë botës, ku morën pjesë dhjetë specialistë të konferencës ipeshkvnore latino-amerikane dhe të Karaibeve si dhe dhjetë specialistë gjermanë të organizatës bamirëse gjermane “Miseror”. Takimi kishte si qëllim shqyrtimin e të gjitha temave që kanë të bëjnë me krizën financiare botërore. Mbi punimet e këtij simpoziumi në mikrofonin tonë flet Imzot Alvaro Leonel Ramacini:


Përgjigje: Në simpozium morën pjesë shumë specialistë që kanë studiuar ndryshimet e klimës, nxehjen e globit, përdorimin e lëndëve të para dhe që na ndihmuan edhe ne ipeshkvijtë, të kuptojmë se problemi nuk ka të bëjë vetëm me bashkësitë ku ne jetojmë por se duhet parë edhe nga një këndvështrim tjetër, thjeshtë shkencor. Vumë re se gjendja është shumë e rëndë për të gjithë planetin dhe se duhen marrë disa vendime në mos daçim që nxehja globale, përdorimi i lëndëve të para, varfëria etj të rëndohen më tej.

Pyetje: Sot flitet për shumë banka nëpër botë që kanë falimentuar. A ndikoi në diskutimet e tuaja kjo gjë?

Përgjigje: Po, folëm edhe për këtë gjë, që është rezultati i etjes për para dhe i këtij mendimi të mbrapshtë për të zotëruar çdo gjë. Pamë edhe sesi një sistem që mendonte se ishte i patundshëm, u rrëzua, dhe kjo na ndihmon të kuptojmë se etja për të grumbulluar para na çon në këtë rrugë.

Pyetje: A u bënë propozime gjatë simpoziumit për një sistem të ri ekonomik botëror?

Përgjigje: Po, u fol shumë për organizimin e një sistemi të ri ekonomik botëror, për një organizëm që të çojë përpara këtë rend të ri dhe të kontrollojë nëse ky rend i ri bazohet mbi parime që respektojnë dinjitetin e njerëzve. U fol për një marrëveshje të përgjithshme, në mënyrë që të gjithë të kuptojnë se të mirat e kësaj bote janë për të gjithë e jo vetëm për disa dhe se ka nevojë për një rregullore që përcakton marrëdhëniet të themeluara mbi drejtësinë dhe mbi ndarjen e barabartë të të mirave.







All the contents on this site are copyrighted ©.