2009-03-09 18:25:43

Benedikti XVI viziton Kampidolin e fton Romën të jetë solidare për të kapërcyer krizën e për të favorizuar integrimin.


(09.03.2009 RV)RealAudioMP3 Roma duhet të rikthehet tek rrënjët e veta civile e kristiane, në se dëshiron t’i paraprijë një humanizmi të ri, që mbron dinjitetin e njeriut, e ndihmon t’i kapërcejë vështirësitë e sotme shoqërore-ekonomike dhe t’i kundërvihet varfërisë shpirtërore, që ndjehet fort veçanërisht në mjediset më të degraduara. Ky është mesazhi që i la Papa Qytetit të Amshuar, në përfundim të një paraditeje të rëndësishme, gjatë së cilës vizitoi selinë e Komunës kapitoline. Ati i Shenjtë, që para kryetarit të bashkisë, Gjani Alemano dhe bashkëpunëtoëve të tij, preku disa tema të mprehta, që nga kriza ekonomike, tek integrimi e tek dhuna që ushtrohet në qytet, përshëndeti më pas, nga ballkoni mbi Shesh, njerëzit e mbledhur që në mëngjes heret për ta parë e për ta duartrokitur. Në përfundim të takimit bëri edhe një vizitë të shkurtër në kuvendin e afërt të Oblateve të Shën Françeskës Romake në Tor de’ Speki.
Pas njëmbëdhjetë vjetësh, një papë ngjit përsëri atë kodrinë, 50 metra mbi nivelin e detit – e cila në shekuj, e sidomos në botën e lashtë, simbolizon strumbullarin civil, fetar e politik të Romës. Kapitolium, më e vogla e më e rëndësishmja nga të shtatë kodrat romake, e pa sot Benediktin e XVI duke ecur mbi gjurmët e Palit VI e të Gjon Palit II, që u ngjitën para tij në Kampidol e, më 1966 dhe më 1998, e patën marrë fjalën përpara autoriteteve qytetare. Edhe Benedikti XVI, duke nisur nga ora 11. 30, foli përpara Këshillit komunal, mbledhur në një seancë të jashtëzakonshme në sallën e Jul Qesarit. Në fjalët e Atit të Shenjtë, inkurajim për mbarështuesit kapitolinë, u ndje fort edhe dëshira për të bashkëpunuar, në përpjekjen për t’iu përgjigjur sa më mirë nevojave e shpresave të banorëve, duke i njohur nga afër shqetësimet e problemet e tyre. Por njëkohësisht Benedikti XVI ripohoi me forcë edhe se Roma ka nevojë të rikthehet tek vlerat e përhershme të Ungjillit, në se dëshiron të jetë përsëri fanar i jetës dhe i lirisë, i qytetërimit moral dhe i zhvillimit të qëndrueshëm:

“Në epokën pas-moderne Roma duhet të rifitojë shpirtin e saj më të thellë, rrënjët e saj civile e të krishtera, në se dëshiron të bëhet nismëtare e një humanizmi të ri, që vë në qendër çështjen e njeriut, të njohur në realitetin e tij të plotë. Njeriu, i shkëputur nga Zoti, do të mbetej pa thirrjen e tij të mbinatyrshme. Krishterimi është mbartës i një mesazhi të ndritshëm për të vërtetën mbi njeriun e Kisha, së cilës iu dorëzua ky mesazh, është e vetëdijshme për përgjegjësinë e saj përballë kulturës bashkëkohore”.

 
Pak minuta para orës 11. 30, kryetari i bashkisë së Romës, Gjani Alemano, e priti Papën tek hyrja e Sikstit XVI, ndërsa turma brohoriste e sytë e 400 gazetarëve të akredituar i qenë drejtuar mysafirit të madh. Benedikti XVI u kthye disa herë nga njerëzit e mbledhur në sheshin, ku ngrihet shtatorja e famshme e Mark Aurelit mbi kalë, para se të hynte në Pallatin senatorial. Pak minuta më pas, telekamerat e inkuadruan mbi ballkonin e vogël të zyrës së kryetarit të bashkisë, prej nga dukej panorama e mrekullueshme mbi Forin Romak, të ndriçuar nga dielli.
Ceremonia vijoi sipas programit, me përshëndetjen e Papës drejtuar anëtarëve të këshillit bashkijak dhe funksionarëve të tjerë në Sallën e Sixhadesë, pasuar nga nënshkrimi i Librit të artë të vizitorëve në Sallën e Flamujve, ku Benediktin XVI e përshëndeti kryetari i bashkisë kapitoline i cili, duke nënvizuar vlerën historike të vizitës së Atit të Shenjtë, nguli këmbë posaçërisht tek koncepti i Romës si qytet i shquar për mikpritjen. E kjo u konfirmua edhe nga vendimi i posaçëm i Komunës, për të cilin u fol gjatë takimit me Papën:

“Me rastin e kësaj vizite historike, si shenjë e vogël, por domethënëse, e një përpjekjeje të tillë, Komuna e Romës vendosi të realizojë një qendër për mikpritjen dhe edukimin e adoleshentëve, posaçërisht të atyre që janë më të varfër e që kalojnë çaste më të vështira. Në shenjtë nderimi për Ju, administrata komunale e Romës zgjodhi për këtë nismë emrin tuaj “Qëndra Benedikti XVI”.(…). Është një ndihmesë e vogël në mbështetje të veprimtarisë edukative për të cilën administrata komunale dhe Kisha katolike me instituciont e veta të vullnetariatit, janë të thirrura të japin ndihmesën e tyre, duke i vënë në jetë parimet e ndihmës e të bashkëpunimit solidar”.

 
Si falënderoi kryetarin e bashkisë, Benedikti XVI u përqendrua kryesisht tek ndryshimet shoqërore që ka pësuar indi urban i kryeqytetit, duke pranuar se ‘kantieri i Romës’ së mijëvjeçarit të tretë, përballon prej dekadash sfida të pashembullta:

“Roma ka ardhur duke u populluar me njerëz nga kombe të ndryshme, që u përkasin kulturave dhe traditave të ndryshme fetare e, si pasojë e kësaj, nganjëherë integrimi është i lodhshëm e i ndërlikuar. Nga ana e bashkësisë katolike nuk do të mungojë kurrë mbështetja për të gjetur mënyra gjithnjë më të përshtatshme për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, në frymën e respektimit të ligjshmërisë”.

 
Një ligjshmëri, që është vënë në diskutim nga episodet e dhunës të cilat –vërejti Papa – ndonëse dënohen nga të gjithë, janë shenjë e qartë, që flasin për shqetësime më të thella:

"Janë shenjë – do të thosha – e një varfërie të vërtetë shpirtërore, që plagos zemrën e njeriut të kohëve tona. Zhdukja e Zoti dhe e ligjit të tij, si kusht për realizimin e lumturisë së njeriut, nuk e ka arritur aspak qëllimin; përkundrazi, e lë njeriun pa sigurinë shpirtërore e, sidomos, pa shpresën e nevojshme për të përballuar vështirësitë e sfidat e përditshme”.

 
Prandaj mund të themi – vijoi Benedikti XVI - se kriza e sotme ekonomike me rrjedhojat e saj, si puna e pamjaftueshme dhe varfërimi i shumë njerëzve, kërkon një përpjekje të përbashkët të institucioneve civile me struktuart bamirëse, shumë nga të cilat të drejtuara nga Kisha. Ndërmjet tyre Papa kujtoi edhe strukturën e re, që po lind në veri të Romës, kushtuar atij nga Komuna:

Familjet, rinia mund të shpresojnë në një ardhmëri më të mirë në atë masë, që individualizmi u krijon hapësirë ndjenjave të bashkëpunimit vëllazëror ndërmjet të gjitha pjesëve përbërëse të shoqërisë civile dhe të bashkësisë së krishterë. Uroj që kjo vepër të jetë nxitje për Romën, që të realizojë indin shoqëror të mikpritjes e të respektit, ku takimi ndërmjet kulturës e fesë, ndërmjet jetës shoqërore e dëshmisë fetare, të ndihmojë për formimin e bashkësive vërtetë të lira e të gjallëruara nga ndjenjat e paqes”.

 
Duartrokitjet u bënë të stuhishme në çastin kur Papa u drejtoi të pranishmëve fjalët e përshëndetjes përfundimtare, para se të largohej:

Të dashur miq, duke u rikthyer në shtëpitë tuaja, në bashkësitë tuaja e në famullitë tuaja, thojini atyre që do të takoni se Papa i siguron të gjithë për mirëkuptimin, për afërsinë shpirtërore e për lutjen e tij. Ju falënderoj për praninë tuaj. Mirupafshim! Javë të gëzuar!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.