2009-03-07 17:32:22

Përfunduan ushtrimet shpirtërore në Vatikan. Falenderimi i Papës për kardinalin Arinze.


(08.03.2009 RV)RealAudioMP3 Përfunduan dje paradite në Vatikan ushtrimet shpirtërore të Kreshmëve, të udhëhequra nga kardinali Frensis Arinze, në Kapelën Redmptoris Mater, në praninë e Papës Benedikti XVI dhe të Kuries Romake. Meditimet e prefektit të nderit të Kongregatës për Kultin Hyjnor patën si temë “Meshtari takon Jezusin dhe e ndjek pas”. Në përfundim të javës së ushtrimeve shpirtërore, Ati i Shenjtë falenderoi ngrohtësisht prelatin nigerian:
“Është një nga funskionet e bukura të Papës të thotë “faleminderit”. Në këtë moment, do të doja, që në emër të gjithë juve, të gjithë neve, t’ju them faleminderit nga zemra hirësi, për meditimet që na dhuruat, për të na udhëhequr e shndritur, duke na ndihmuar të përtërijmë meshtarinë tonë. Nuk na ofruat akrobaci teologjike, por na dhatë një doktrinë të shëndoshë, bukën e mirë të fesë sonë… Fjalën e Zotit, që na jep ushqimin e vërtetë. Predikimi juaj qe i përshkuar nga Shkrimi i Shenjtë, nga një familjaritet i madh me Fjalën e Zotit, të lexuar në kontekstin e Kishës e me Kishën e gjallë, që nga Etërit e deri në Katekizmin e Kishës Katolike, gjithnjë i kontekstualizuar në liturgji”.
Jo një teologji abstrakte pra, por një teologji të karakterizuar nga realizmi i shëndoshë. E më pas, Ati i Shenjtë vazhdoi:
“…Më pëlqeu kjo përvojë konkrete prej 50 vjetësh meshtari, prej ipeshkvi, me të cilën ju na folët, na e konkretizuat fenë tonë e na thatë fjalë të drejta, konkrete për jetën tonë, për sjelljen tonë si meshtarë e shpresoj, se shumë vetë do t’i lexojnë këto fjalë e do t’i marrin në zemër”.
Papa komentoi temën e meditimeve, që filluan me historinë e dishepujve të parë, të cilët e pyesin Jezusin: “Mësues, ku banon?”. E Zoti përgjigjet: “Ejani e do ta shihni!”. Benedikti XVI shtoi:
“Për të ‘parë’ duhet të ‘vijmë’, duhet të ecim, të ndjekim Jezusin; Jezusi na prin gjithnjë e vetëm duke ndjekur Jezusin mund edhe të shohim. Ju na treguat ku banon Jezusi – tha Papa, duke iu drejtuar kardinalit Arinze – ku është shtëpia e tij: në Kishë, në Fjalën e Tij, në të Shenjtnueshmin Sakrament. Faleminderit hirësi për këtë udhëheqje. Me hov e gëzim të ri, të marrim rrugën drejt Pashkëve. Ju uroj të gjithëve Kreshmë e Pashkë të mbara”.







All the contents on this site are copyrighted ©.