2009-03-07 11:55:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e së dielës II të Kreshmëve “B”


(07.3.2009 RV)RealAudioMP3 Dëgjues të nderuar ia përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë dhe meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së dytë të kohës së Kreshmëve, që paraprin dhe përgatit kremtimin e mundimeve, të vdekjes e të ngjalljes së Jezu Krishtit, Shpëtimtarit të njerëzimit.
Liturgjia e Fjalës Hyjnore e kësaj së diele, na propozon misterin e Shndërrimit të Jezu Krishtit Zot. E pyesim pse kjo ngjarje e marrë nga Marku ungjilltar, na propozohet brenda kohës së kreshmëve? Përgjigjen na jep vet Krishti, kur i kërcënohet Pjetrit, Jakobit e Gjonit të mos i tregojnë askujt për atë çka kanë parë, deri në ngjalljen e Tij. Reagimi i tre nxënësve është mrekullimi e kureshtja: çka do të thotë të ngjallesh prej së vdekurish? Është e njëjta pyetje që shpesh e bëjmë edhe ne.
Trupi i shndërruar i Jezusit nuk është gjë tjetër përveç se dëftim e zbulim i atij imazhi që do të jetë fati jonë pas ringjalljes. Të vendosësh këtë të vërtetë në kohën e Kreshmëve, është një anticipim i Pashkëve, është një motiv shprese, se as vuajtja, as vdekja nuk do të munden të na asgjësojnë. Është e njëjta bindje e Shën Palit me të cilën në Letrën e Parë drejtuar Korintianëve (13,1-3) ai përpilon të famshmin “Himn të dashurisë” . Asgjë e askush nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Krishtit, sepse Ai, i vdekur e i ngjallur, tani ulet në të djathtën e Hyjit e ndërmjetëson për ne. Ai është qengji i vërtetë i flijuar që zëvendëson flijimet e njeriut: kështu e kujton ngjarja e Zanafillës, në të cilën Abrahami është i gatshëm të flijoi djalin e vetëm, Izakun, mirëpo Zoti e ndalon.
Kështu pra, leximet biblike të dielës së dytë të Kreshmëve flasin për fenë, përmes së cilës do të mund të shijojmë premtimet e Zotit, siç na dëshmon shembulli i Abrahamit, për të cilin flet leximi i parë nga Libri i Zanafillës ( 22,1-2.9. 10-13.15-18); dhe për gëzimin e paqen e Krishtit të Gjallë, siç na pohon shembulli i përjetimit të tre apostujve bashkë me Jezusin, Mësuesin Hyjnor mbi malin tabor, për çka fletë pjesa ungjillore e kësaj së diele nga Marku (9,2-10).
Në këtë diele, pra, Hyji Atë edhe një herë na thërret ta dëgjojmë të Birin e Tij, Jezusin, ta ushqejmë fenë tonë me Fjalën e Tij Hyjnore, t’ia hapim zemrën tonë Shpirtit Shenjtë Zot, në mënyrë që edhe ne të mund të shndërrohemi, duke u bërë shenja të besueshme të pranisë e të dashurisë së tij Hyjnore në histori. Më tepër mbi liturgjinë e Fjalës Hyjnore të kësaj së diele, mund të dëgjoni këtu.........
Lutu me Ungjillin e së dielës: meditim.

Ti na ke ftuar të gjithëve, o Zot,
në Malin e shndërrimit.
Atje ne pamë lumninë tënde,
dëgjuam zërin tënd.
Në atë majë na duk se feja
ishte e lehtë, e natyrshme,
pa ankthe e pa kryqa.
Ndihmona të zbresim nga mali,
e hap pas hapi ta ndjekim Jezusin
udhë të tjera pa kërkuar,
udhë të shkurtëra, pa mundim:
me bindjen se agu i Pashkëve,
kalon nëpër udhën
e së Premtes së Madhe!







All the contents on this site are copyrighted ©.