2009-03-07 17:34:45

Editorial i atë Federiko Lombardit: Të rinjtë e shpresa


(08.03.2009 RV)RealAudioMP3 Pikërisht javën e kaluar Papa Benedikti XVI bëri të njohur Mesazhin e tij për Ditën Botërore të Rinisë, e cila do të kremtohet në nivel dioqezan, më 5 prill. Tema e sivjetme është “Shpresojmë në Hyjin e gjallë” (1Tm 4,10). Të dëgjojmë komentin e drejtorit tonë të përgjithshëm, njëkohësisht zëdhënësit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi:
“Shumë i bukur mesazhi i Papës për Ditën Botërore të Rinisë së këtij viti, e cila kremtohet në nivelin dioqezan të Dielën e Larit! Flet për shpresën. Lidhet natyrshëm me enciklikën e fundit të Papës Benedikt – që titullohet pikërisht “Spe Salvi: pra, me shpresën shpëtuam” – por u drejtohet veçanërisht brezave të rinj, idealeve, ëndërrave, planeve të tyre, që mund e duhet ta gjejnë mënyrën për ta kthyer shpresën në shenja konkrete gjatë viteve që vijnë. “Çështja e shpresës është në qendër të jetës sonë si qenie njerëzore dhe të misionit tonë të krishterë, sidomos në epokën bashkohore” thotë Papa, e vazhdon më tej, duke nxitur ndjenjën e përgjegjësisë tek të rinjtë: “Rinia është koha në të cilën piqen vendime të rëndësishme për krejt jetën”.
Të shkojmë përtej shpresave të vogla, që avullojnë shpejt, për ta drejtuar zemrën drejt “shpresës së madhe”, që i jep kuptim ekzistencës, shpresës që mbështetet mbi Jezu Krishtin e mbi Ungjillin e tij. Mbi këtë bazë të qëndrueshme, mund të mësojmë si të jemi të durueshëm e këmbëngulës, si t’ia heqim maskën idolatrisë së parasë, karrierës e suksesit, si t’i vemë aftësitë personale në shërbim të së mirës së përbashkët, të së vërtetës, të dashurisë për të afërmin.
Rinia duhet të jetë mosha e gëzimit, por pa shpresë nuk ka mundësi gëzimi. I krishteri i vërtetë – përfundon Papa – nuk është kurrë i trishtuar, edhe kur i duhet të përballojë sprova të vështira, sepse prania e miqësia e Jezusit është sekreti i gëzimit dhe i paqes së tij. Kisha vazhdon ta ftojë rininë e botës të shohë përpara”.







All the contents on this site are copyrighted ©.