2009-03-06 17:31:18

Kardinali Pupard kryeson kremtimet për 700-vjetorin e selisë avinjoneze të Papëve


(06.03.2009 RV)RealAudioMP3 Fillojnë nesër e do të zgjasin dy ditë kremtimet për 700 vjetorin e selisë së papëve në Avinjon. Ceremonitë do të kryesohen nga i dërguari i veçantë i Benediktit XVI, kardinalit Pol Pupar, kryetar nderi i Këshillit papnor për Kulturën. Qe Papa Klementi V, ai që në vitin 1309 e zhvendosi rezidencën papnore në qytetin francez të Avinjonit, për të garantuar më mirë lirinë e Kishës, në një periudhë historike kur në Romë, autonomia e papëve ishte në rrezik. Pas mëse 70 vjetësh, në vitin 1377, Papa Gregori XI vendosi të kthehet në selinë romake, në Vatikan. Një rol të veçantë në kthimin e Atit të Shenjtë në Romë, pati Shën Katerina e Sienës, për të cilën na flet vetë kardinali Pupar në mikrofonin tonë:
Nuk është e vërtetë se nga njëra anë, ishte Papa që donte të rrinte në Aviunjon e nga ana tjetër, shën Katerina e Sienës: Papa donte të kthehej në Romë, por kishte vështirësi. Në thirrjet e saj – të cilat i kam rilexuar e janë tekste të zjarrta – Katerina thotë se nuk është normale që ipeshkvi i Romës të jetë jashtë saj e se Krishti e do në Romë. Në fakt, nëse lexojmë historinë, zbulojmë se Papa, që mori vendimin për t’u kthyer në Romë, pati guxim të madh, pasi enturazhi i tij nuk kishte ndërmend të kthehej, sepse e njihte mirë situatën e vështirë të Romës. Por Shën Katerina pati një rol shpirtëror të rëndësishëm, duke dhënë kontributin e vet për kapërcimin e këtyre vështirësive.







All the contents on this site are copyrighted ©.