2009-03-05 16:38:30

Më 5 mars përkujtojmë Atë Lorenc Mazreku OFM në përvjetorin e lindjes


(5.3.2009 RV)Duke shfletuar kalendarin historik, më 5 mars përkujtojmë Atë Lorenc Mazreku (Mitroviq), françeskan shqiptar, në vjetorin e lindjes së tij. Atë Lorenc Mazreku (Mitroviç), martir i Fesë dhe i Kombit, lindi më 5 mars 1872 në Janjevë, të dioqezës së Prizren- Shkupit, në familjen e Antonit e Anastasisë Glasnoviq Si kreu kolegjin françeskan të Troshanit, shkoi në Bosnjë për të vijuar studimet për filozofi e teologji. Atje edhe u diplomua.
Zhgunin e Shën Françeskut e veshi më 28 gusht 1886; kushtet e përkohshme i bëri më 12 prill 1888, ndërsa Meshën e parë e çoi më 7 korrik 1894, për të filluar më 1895 shërbimin si famullitar në Pejë. Më 1897 e gjejmë në Zllakuqan, ku ndërtoi kishën; më 1902 ndërtoi kishën dhe selinë kishtare të Pejës. Pak kohë më pas e gjejmë në Shkodër, si i pari guardian shqiptar i Kuvendit të Fretërve në Gjuhadol. Këtu punoi shumë për të kryer punimet e kishës françeskane të Gjuhadolit.
Në veprën me vlera të mëdha të Atë Donat Kurtit "Provinça Françeskane Shqiptare"1 për veprimtarinë e Atë Lorencit në ndërtimin e Kishës së Gjuhadolit, shkruhet: mes shumë veprimtarive Atë Lorenc Mazreku “ më 1906 qe sekretari i Atë Pal Dodajt, provinçalit të parë shqiptar të provinçës së Zojës Nunciatë. Si sekretar, hartoi nekrologun e provinçës. Më 1909 u zgjodh Kustod i Provinçës dhe famullitar i Bajzës, ku themeloi Urdhërin e Tretë të Shën Françeskut.
Më 1920 shërbeu përsëri si famullitar i Pejës në Kosovë ku, më 1942, themeloi Shoqninë Antoniane për edukimin e rinisë. Aty e gjetën edhe gjermanët kur, gjatë Luftës II Botërore, hynë në Pejë. Me ndërmjetësim të tij, në këtë periudhë shpëtuan nga djegia dy kisha ortodokse: ajo e patriarkanës së Pejës dhe e Deçanit e, ajo që ka më tepër rëndësi, u shmang rreziku real i luftës ndërmjet myslimanëve e ortodoksëve; ndërmjet shqiptarëve e malazezëve dhe serbëve. Edhe shenjtnorja e Shëna Ndout në Gjakovë u ndërtua nën kujdesin e tij”.
Atë Lorenc Mazreku u dallua për zell e përkushtim fetar e kombëtar, për pasurimin e Kishave me shtatore të reja shenjtorësh e orendi të tjera. Kudo që shërbeu, u mësoi fëmijëve të shkruanin e të lexonin gjuhën shqipe. Si pasojë e një veprimtarie të tillë, fitoi dashurinë e respektin e popullit, të cilit i shërbente, e njëkohësisht urrejtjen e armiqve të Kishës e të Kombit. Në jetëshkrimin e tij të shkurtër, botuar tek "Martirizimi i Kishës Katolike Shqiptare – 1944-1990", shkruhet se u vra nga serbët në Pejë më 15 shkurt 1943, pasi u demaskua. Në të vërtetë, sipas dokumenteve të Urdhërit të Fretërve të Vegjël, Atë Lorenci u vra në rrugën ndërmjet Gjakovës e Pejës. (Nga Atë Donat Kurti, "Provinça Françeskane Shqiptare", Botime françeskane Shkodër 2003, fq. 31). RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.