2009-03-05 15:53:35

Lumnimi i Piut XII: gjendet një dokument i ri për shpëtimin e hebrenjve.


(05.03.2009 RV)Një dokument i ri, këtë radhë i shkruar, dëshmon për veprimtarinë e Piut XII në favor të hebrejve gjatë persekutimit nazist. Bëhet fjalë për një notë marrë nga “Kronika e Rregulltareve Agustiniane të Kuvendit të Santisimi Kuatro Koronati të Romës”. “Ati i Shenjtë – lexohet në këtë kronikë – don të shpëtojë bijtë e vet, edhe hebrejtë, dhe urdhëron që nëpër kuvende t’u jepet strehë këtyre të persekutuarve”. Shënimi, që është i nëntorit 1943, vijon më pas me listën e 24 personave që gjetën strehim në këtë kuvend, për të realizuar kështu, siç theksohet më tej, dëshirën e Atit të Shenjtë.
“Një dëshmi e rallë”- kështu e komentoi këtë dokument Atë Peter Gumpel, jezuit dhe historian i njohur, një nga relatorët e çështjes së lumnimit të Piut XII. Le ta dëgjojmë:

Pyetje: Atë Gumpel, çfarë rëndësie merr ku dokument?

Përgjigje: Bëhet fjalë për një dokument që unë vetë e kam marrë nga motrat agustiniane. Është dokument i shkruar dhe është i rëndësishëm, por nuk është e vetmja dëshmi që kemi. Ka shumë dëshmi gojore murgeshash, meshtarësh apo të tjerësh, por mungojnë deklarata të asaj kohe të shkruara dhe kjo gjë u ka dhënë shkas disave, të cilët vazhdojnë ta sulmojnë Piun XII, të thonë: “Nuk ka dokumente që tregojnë se ai ka bërë ndonjëherë ndonjë gjë për të mbrojtur hebrejtë gjatë spastrimit të 16 tetorit të 1943.” E gjithë kjo është një gënjeshtër me bisht. Ajo që mund të thuhet është se në kohë persekutimesh dhe në situata si ajo që përjetonte Roma asokohe, një njeriu me mend në kokë nuk do të shkruante letra, sepse kishte rrezik që kjo pastaj të binte në dorë të armikut, që pastaj do të merrte masa edhe më armiqësore kundër Kishës katolike. Veprimtaria e Papës Piut XII për shpëtimin e hebrejve, që për më tepër dëshmohet edhe nga veteë burimet hebraike, u zhvillua nëpërmjet lajmëtarëve të posaçëm - meshtarëve - të cilët dërgoheshin nëpër institucione të ndryshme dhe kuvende katolike, këtu në Romë, nëpër universitete, seminare, famulli, kuvende murgeshash gjithnjë me mesazhin: “Hapjani dyert e juaja të gjithë të persekutuarve të nazizmit”, gjë që pikësëparai kishte të bënte me hebrejtë.”

Pyetje: Po përse atëherë, Atë Gumpel, nuk pranohet kjo e vërtetë historike pjesërisht e provuar?

Përgjigje: Kemi të bëjmë me njerëz që për të gjetur ndonjë kleçkë thonë: “Ne besojmë tek puna e Piut XII për shpëtimin e hebrejve vetëm po qe se ka një dokument të shkruar”. Tashti, ekzistojnë dy dokumente të shkruara: i pari iu pat dërguar ipeshkvit të Asizit, Imzot Nikolinit, i cili pastaj ia pati treguar edhe bashkëpunëtorit të tij dom Brunjacit. Më vonë të dy u dekoruan nga Jad Vashem si “të drejtë ndër ata që nuk janë hebrej”. Kurse këtu në Romë, u gjet tashti ky dokument në kronikën e motrave agustiniane të klauzurës. Po e përsëris: është një provë e mëtejshme që mund të jetë e dobishme për ata që vazhdimisht duan ta denigrojnë Piun XII dhe nëpërmjet tij të sulmojnë Kishën katolike.

Pyetje: Atë Gumpel, kjo provë e re do t’i japë një shtytje të re çështjes së lumnimit të Piut XII, apo jo?

Përgjigje: Shpresoj se po. Një vendim pozitiv për çështjen e lumnimit të Piut XII është marrë me 9 maj 2007. 13 kardinalë dhe ipeshkvij që përbëjnë Gjykatën më të lartë të Kongregatës për Çështjet e Shenjtërve, u shprehen njëzëri në favor të virtyteve të Papës Piut XII. Tashti jemi në pritje të nënshkrimit të dekretit nga ana e Atit të Shenjtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.