2009-03-04 17:32:45

Mesazh për Ditën Botërore të Rinisë. Papa kërkon që të rinjtë të njohin shpresën e vërtetë: Krishtin.


(04.03.2009 RV)Në këtë kohë krize, të rinjtë e krejt njerëzimi duhet të njohin shpresën e vërtetë, që është Krishti. Kjo është sinteza e Mesazhit të Papës Benedikti XVI për Ditën Botërore të Rinisë, e cila këtë vit do të kremtohet në nivelin dioqezan, më 5 prill, të Dielën e Larit. Tema e Mesazhit: “Shpresojmë në Hyjin e gjallë” (1Tm 4,10).
“Shpresa – pohon Papa – nuk është vetëm ideal apo ndjenjë, por një person i gjallë: Jezu Krishti, Biri i Zotit”. Vetëm në Të realizohet njeriu. Benedikti XVI nënvizon se kriza e shpresës, që ka përfshirë sot njerëzimin, është një nga pasojat kryesore të faktit se shoqëria e ka harruar Zotin, e ka lënë Atë mënjanë, sikur të mos ekzistonte. Kjo pasojë godet sidomos të rinjtë, të cilët, “në kontekste shoqëroro-kulturore pa siguri, vlera e pika të forta referimi, duhet të përballojnë vështirësi, që i tejkalojnë forcat e tyre”. Janë të rinj, të rënduar nga jeta, të kushtëzuar nga papjekuria, shpesh pasojë e mungesës së familjes, e cila u ka lejuar atyre gjithçka, duke i shtyrë kështu drejt përvojave negative e traumatizuese. Të rinj, denoncon Papa, që mënjanohen nga shoqëria me anë të sjelljeve shpesh të rrezikshme e të dhunshme, me anë të drogës e alkoolit. Të rinj, të prishur nga këshillat e atyre, që u paraqiten si “mësues jete”, por të rinj, që vazhdojnë të ndjejnë dëshirën për dashuri e lumturi të vërtetë.
“Si mund t’u shpallim shpresën këtyre të rinjve?” – pyet Ati i Shenjtë. “Impenjimi parësor që na përfshin të gjithëve – shkruan Benedikti XVI – është ai i ungjillëzimit të ri, i tillë, që t’i ndihmojë brezat e rinj të rizbulojnë fytyrën e vërtetë të Zotit, i cili është Dashuri”. Papa i fton të gjithë të krishterët të jenë dëshmitarë të besueshëm të shpresës, në gjurmët e Shën Palit, Apostullit të shndërruar krejtësisht nga Dashuria hyjnore, që gjeti në personin e Jezu Krishtit. Ai i jep kuptim jetës. Shpresa lind në takimin me Jezusin, thekson Papa Racinger. Krishti na ofrohet edhe në errësirën e kërkimit tonë të ethshëm. Rrugët për ta gjetur janë “lutja e vazhdueshme” – e është më e frytshme ajo që bëhet bashkë me të tjerët – pjesëmarrja në grupe, lëvizje e itinerare feje, dëgjimi i Fjalës së Zotit dhe pjesëmarrja në Eukaristi, rreth së cilës lind e rritet Kisha, familja e madhe e të krishterëve.
Benedikti XVI fton edhe të rinjtë ta përhapin shpresën, pa u shkurajuar para sprovave e vështirësive. Duhet durim, këshillon Ati i Shenjtë, duke pasur parasysh prirjen e të rinjve për të pasur gjithçka shpejt. “Merrni vendime që dëshmojnë fenë tuaj – shton Papa - tregoni se i keni kuptuar kurthet që ngre kthimi i parasë në idhull, pasuria, karriera dhe suksesi, mos e lini veten në dorën e këtyre përbindshave të rremë. Mos përdorni logjikën e interesit egoist, por kultivoni dashurinë për të afërmin… gjithnjë gati t’i përgjigjeni, kujtdo që ju pyet për arësyen e shpresës brenda jush”. Feja e vërtetë ndriçon jetën. Në fakt – nënvizon Papa – “i krishteri i vërtetë nuk është kurrë i trishtuar, edhe kur i duhet të përballojë sprova të ndryshme, pasi prania e Jezusit është sekreti i gëzimit dhe i paqes së tij”.
Papa merr shembullin e shën Marisë, e cila mbeti me shpresën të pathyer, në këmbët e Kryqit. E në fund të Mesazhit, citon Shën Bernardin: “Në rreziqe, në nevojë, në dyshime, mendo për shën Marinë… duke e thirrur nuk do ta humbësh shpresën… mbështetu tek Ajo e nuk do të rrëshqasësh; nën mbrojtjen e saj nuk do të kesh frikë nga asgjë; me udhëheqjen e saj nuk do të lodhesh; me mbrojtjen e saj do t’ia arrish qëllimit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.