Papa: thirrje për mbrojtjen e punëtorëve të goditur nga kriza ekonomike e të familjeve
të tyre.
(02.3.2009 RV)Papa bën thirrje për mbrojtjen e punëtorëve të goditur nga kriza
ekonomike: në këtë situatë – tha Benedikti XVI dje gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot
në Vatikan – duhet t’u jepet përparësi punëtorëve e familjeve të tyre. E dje në Sheshin
e Shën Pjetrit në Vatikan qenë të pranishëm punëtorë të industrisë automobilistike
italiane “Fiat” nga Pomiljano d’Arko, për të manifestuar shqetësimin e tyre për të
ardhmen e fabrikës dhe të mijëra personave puna e të cilëve, në mënyrë të drejtpërdrejtë
ose jo, varet nga fabrika në fjalë. E duke përmendur edhe situata të tjera po aq të
rënda, siç është kriza në Sardenjë, Toskanë e qendra të tjera në Itali e në botë,
Papa tha: “Bashkohem me ipeshkvijtë e me Kishat përkatëse lokale duke shprehur
afërsinë time me familjet, që janë të prekura nga problemi i krizës ekonomike, e përmes
lutjeve të mia ia besoj mbrojtjes së Nënës së Shenjtë Mari e Shën Jozefit, pajtorit
qiellor të punëtorëve. Dua t’u shpreh mbështetjen time autoriteteve politike e civile,
si dhe afaristëve, që me ndihmën e bashkëpunimin e të gjithëve të mund të përballohet
ky moment kaq delikat. Vërtet, është i nevojshëm një angazhim i përbashkët i fortë,
duke pasur parasysh se duhet t’u jepet përparësi punëtorëve e familjeve të tyre”. Pastaj
duke kujtuar Ungjillin e së dielës së parë të Kreshmëve, që na paraqet Jezusin në
shkretëtirë, Papa i ftoi besimtarët të rizbulojnë kuptimin e agjërimit që “na ndihmon
ta zotërojmë më shumë vetveten, ta luftojmë mëkatin, ta duam të afërmin tonë e së
fundi, ta kryejmë me gatishmëri vullnetin e Zotit”. Benedikti XVI i nxiti besimtarët
të “largohen nga mëkati” e ta “ndryshojnë rrënjësisht jetën”, duke luftuar kundër
të gjitha tundimeve. Këndej Papa u ndal mbi domethënien e pranisë së Jezusit në shkretëtirë,
ku u tundua nga djalli: “Në shkretëtirë, vend sprove, siç dëshmon përvoja e
popullit të Izraelit, shfaqet me dramatizëm të gjallë realiteti i kenos-it, i zbrazjes
së Krishtit, i cili u zhvesh nga trajta e Zotit (krh Fil2,6-7). Ai, që nuk ka mëkat
e nuk mund të mëkatojë, i nënshtrohet sprovës e prandaj mund të vuajë dhimbjet tona
(krh Heb 4,15). Jezusi e lejon veten të tundohet nga Djalli, kundërshtar, i cili qysh
në fillim ka kundërshtuar planin shëlbimprurës të Zotit në favor të njerëzve”. Në
shkretëtirë Jezusit i shërbenin engjëjt “figura plot dritë e të mistershme”. “Prania
siguruese e engjëllit të Zotit – kujtoi Papa – e shoqëron popullin e Izraelit në të
gjitha ngjarjet e tij të mira e të këqija”. “ Të dashur vëllezër e motra, do
t’i hiqnim një pjesë të konsiderueshme Ungjillit, po t’i linim mënjanë këto qenie
të dërguara nga Hyji, të cilat kumtojnë praninë e tij në mesin tonë e janë shenjë
e kësaj pranie Hyjnore. Le t’u drejtohemi atyre shpesh me lutje, që të na mbështesin
në udhën tonë gjurmëve të Jezusit deri në identifikimin me Të. T’u kërkojmë Engjëjve,
në mënyrë të posaçme sot, të më ruajnë mua e bashkëpunëtorët e Kuries Romake që këtë
pasdite, si çdo vit, do të fillojmë javën e Ushtrimeve shpirtërore. Maria, Mbretëresha
e Engjëjve, lutu për ne!”.