Atë Lombardi: të pamjaftueshme deklaratat e ipeshkvit lëfevrian, imzot Uiliamson,
mohues i Shoahut
(01.3.2009 RV)Kisha Katolike i konsideron të pamjaftueshme deklaratat e ipeshkvit
lëfevrian, imzot Uiliamson, i cili korregjoi javën e kaluar qëndrimin e tij mohues
mbi Holokaustin, duke kërkuar falje. Drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë
Federiko Lombardi sqaroi se letra e shkruar prej ipeshkvin Uiliamson nuk respekton
kushtet e kërkuara nga Selia e Shenjtë. “Nuk kemi të bëjmë me një letër, që i drejtohet
Atit të Shenjtë apo Komisionit Ecclesia Dei – sqaroi atë Lombardi. Deklarata e ipeshkvit
në fjalë nuk duket se respekton kushtet e caktuara me notën e Sekretarisë së Shtetit
të Vatikanit të 4 shkurtit 2009, ku thuhej – përfundoi atë Lombardi – se Uiliamson
“duhet të distancohet qartë e publikisht nga qëndrimet e tij ndaj Shoah-ut”. Duke
kërkuar falje për komentet e dhëna në një intervistë, ku nuk njihte tragjedinë e shfarosjes
së hebrenjve gjatë Luftës II Botërore, imzot Uiliamson deklaroi se nëse do ta kishte
ditur më parë dëmin dhe dhimbjen që shkaktuan pohimet e tij, sidomos për Kishën Katolike,
por edhe për të mbijetuarit e të afërmit e viktimave, nuk do t’i kishte bërë.