2009-02-26 17:45:45

Përfundon revolta e ushtarakëve në Bangladesh.


(26.02.2009 RV)Në Bangladesh trupat ushtarake që dje nisën revoltën, sot lëshuan armët si edhe liruan të gjitha pengjet që kishin marrë gjatë rebelimit të tyre kundër eprorëve. Ushtarakët u dorëzuan pasi nga ana e qeverisë iu garantua amnistia si edhe iu premtua për shqyrtimin e përmirësimit të kushteve të jetesës. Lajmi u dha nga një zëdhënës i qeverisë së Bangladeshit.
“Të gjithë ushtarët dorëzuan armët dhe u kthyen nëpër kazermat e tyre. Ministri i brendshëm si edhe ai financave gjenden aty. Po ashtu edhe të gjitha pengjet u liruan.” Kështu deklaroi për mjetet e informacionit zëdhënësi i kryeministrit Abul Kalam Azad.

Opozita pakistanase mbështet ish-kryeministrin Navaz Sharif
Me mijëra demonstrues, mbështetës të ish-kryeministrit të Pakistanit Navaz Sharif protestuan sot në Lahorë, pas vendimit të gjykatës së lartë që përjashton atë si edhe vëllain e tij nga ushtrimi i detyrave përkatëse në postet që mbajnë. Kështu vendi aziatik, me bombë atomike, mik i SHBA-ës këto ditë ka qenë në qendër të një stuhie që ka të bëjë me pushtetin politik. Gjykata e lartë po ashtu me një vendim të sajin rrëzoi edhe një nga qeveritë vendore që drejtohej nga lideri i opozitës Sharif, kundërshtari kryesor i presidentit të tashëm Azif Ali Zardari. Kjo qe edhe arsyeja e demonstratës së sotme në Lahorë, qytet kryesor i provincës së Panxhabit e njëkohësisht qendër e opozitës së Sharifit. “Kur policia nuk u lejon përfaqësuesve të popullit të hyjnë në asamblenë ku janë zgjedhur, atëherë çfarë demokracie është kjo?”-tha zëdhënësi i opozitës Ali Azgar Manda.







All the contents on this site are copyrighted ©.