2009-02-26 17:34:17

Benedikti XVI klerit romak: fjalë dhe dëshmi për të prekur zemrat e njerëzve sot. Kriza ekonomike: Rrënjët janë tek egoizmi.


(26.02.2009 RV)Arsyet e thella të krizës ekonomike, rëndësia e kumtimit të Lajmit të mirë, emergjenca edukuese, roli i famullitarit në shoqërinë e sotme dhe vendi kryesor i liturgjisë në jetën e të krishterëve, këto qenë disa nga temat që preku Ati i Shenjtë Benedikti XVI në takimin tradicional me klerin romak që u zhvillua në Vatikan në këtë fillim të Krezhmëve, takim i parë ky edhe me kardinalin vikar Agostino Valini. Duke paraqitur takimin kardinali theksoi përmasat familjare të kësaj ngjarjeje gjatë së cilës famullitarët e Romës patën mundësinë t’i paraqesin Ipeshkvit të tyre arritjet por edhe hallet e problemet e përditshme të veprimtarisë baritore:


Një takim ky që u karakterizua nga përzemërsia dhe çiltërsia. Një takim familjar, tha Papa, duke nënvizuar se sa është e rëndësishme për të të dëgjojë përvojat e meshtarëve të dioçezës së tij. Benedikti XVI iu përgjigj tetë pyetjeve që i bënë famillitarët, të cilat kishin të bënin me tema të ndryshme. Duke iu përgjigjur një famullitari të zonës së Tor Bela Monaka, që gjendet në periferi të Romës, e ku kriza ekonomike është e ndjeshme, Papa ripohoi se Kisha e ka për detyrë të denoncojë dështimin e sistemit ekonomiko-financiar pa bërë moralizëm:

“Të denoncohen këto gabime themelore, të cilat u panë tani edhe tek rrënimi i bankave të mëdha amerikane: koprracia njerëzore është idhujtari që shkon kundër Zotit dhe falsifikon shëmbulltyrën e Hyjit me një zot tjetër- Mamonën. Duhet ta denoncojmë me guxim por dhe konkretisht, sepse moralizmat nuk ndihmojnë nëse nuk mbështeten tek njohja e realitetit, i cili ndihmon edhe për të kuptuar se çfarë mund të bëhet konkretisht!”.

Kisha, vijoi Ati i Shenjtë, ka denoncuar jo vetëm të keqen por ka treguar edhe rrugët që çojnë kah drejtësia, dashuria, kah kthimi i zemrave. Jo gjithmonë është e thjeshtë, vuri në dukje Papa Racinger, sepse shpeshherë ndeshet me interesat e grupeve të veçanta. Edhe në ekonomi, - vijoi më pas Benedikti XVI, - drejtësia ndërtohet vetëm me ata që janë të drejtë dhe këta formohen nëpërmjet kthimit të zemrave.
Dy pyetje u ndalën në veçanti tek sfida e misionit ungjillëzues. Papa i bëri thirrje klerit romak që të bashkojë studimet teologjike me përvojën konkrete në mënyrë që Fjala e Hyjit t’i përcillet njeriut të sotëm. Ato, studimet teologjike, pra, nuk duhet të humbasin thjeshtësinë e së vërtetës, vijoi më pas Ati i Shenjtë, që nuk mund të reduktohet në një rrymë filozofike. Gjithashtu më tej, Papa e vuri theksin tek roli i famullitarit, i cili, pohoi ai e njeh njeriun në thellësi si askush tjetër, përtej rolit që ai luan në shoqëri.

“Për kumtimin e Lajmit të mirë, kemi nevojë për dy elemente: dëshminë dhe fjalën. Është e nevojshme fjala, që e bën të dukshme të vërtetën e Zotit, praninë e Zotit në Jezu Krishtin. Po ashtu kumtimi i saj është diçka jashtëzakonisht e domosdoshme, themelore, por duhet që t’i jepet kredibilitet kësaj Fjale edhe me dëshmi, që të mos duket vetëm si fjalë të bukura, si utopi. Në këtë kuptim më duket se dëshmia e bashkësisë besimtare ka rëndësi tepër të madhe. Duhet të hapim, sa të mundemi, vende të përhapet përvoja e fesë së gjallë.”

Në vazhdim, Papa, u ndal për një reflektim tek tema e tij e parapëlqyer: emergjenca e edukimit të rinisë. Është detyrë e meshtarëve, tha ai që qysh në orator t’u japin të rinjve një formim njerëzor të plotë. Më pas Ati i Shenjtë pohoi se jetojmë në një botë, ku janë të shumtë ata që kanë njohuri mbi botën, por nuk kanë një orientim të brendshëm etik. Prandaj për këtë arsye Kisha e ka me detyrë të propozojë një formim njerëzor të ndriçuar nga besimi fetar. Duhet të jemi të hapur, pra, ndaj kulturës së kohës sonë, por duke kallëzuar qartë se cilat janë kriteret e gjykimit. Gjatë takimit nuk munguan notat e humorit veçanërisht kur një famullitar i zonës së Kazilinës lexoi një sonet në dialektin romak për të kremtuar vizitën e ardhshme të Benediktit XVI në Kapitol, një poezi kjo të cilën Ati i Shenjtë e vlerësoi në mënyrë të veçantë:

“Ju faleminderit. Dëgjuam të flasë këtu zemrën romake, që është një zemër poetike. Është diçka shumë e bukur të dëgjosh pak dialekt romak e të dëgjosh sesi poezia është thellësisht e rrënjosur në zemrën romake. Mbase ky është një privilegj që Zoti u ka dhënë romakëve, është karizëm natyrore që iu paraprin privilegjeve kishtare...”

Gjatë takimi me klerin romak që zgjati gati dy orë, Papa foli edhe për liturgjinë duke ripohuar se të mësosh sesi të kremtosh do të thotë të njohësh Jezu Krishtin, të hysh në kontakt me të. Liturgjia, vijoi Papa në reflektimi e tij, duhet të jetë gjithmonë zemra e jetës sonë të krishterë. Pastaj Papa theksoi edhe një herë veçantinë e Kishës së Romës, e cila është e thirrur të jetë paraprijëse e Dashurisë hyjnore. Një dhanti, pohoi ai, që iu përket të gjithë besimtarëve të Kishës Romake. Ministeri pjetrin,- shtoi në fund Papa,- duhet t’u garantojë të gjithëve bashkimin dhe pasurinë e brendshme të Kishës, duke shmangur çdo absolutizim dhe duke përjashtuar çdo partikularizëm. RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.