2009-02-25 19:07:04

Agjërimi i krishterë në krahasim me fetë e tjera, në reflektimin e kardinalit Pol Jozef Kordes për Kreshmët.


(25.02.2009 RV)Në ditët tona, praktika e agjërimit duket se e ka humbur pak vlerën e saj shpirtërore, e në një kulturë të shënuar nga mirëqënia materiale, ka marrë vlerën e një mase terapeutike për kurimin e trupit. Ky është një nga reflektimet më të rëndësishme të Papës Benedikti XVI, në Mesazhin e Krezhmëve 2009. Pikërisht për agjërimin e krishterë, i detyrueshëm të Mërkurën e Përhime, pra sot, e të Premten e Madhe, flet në mikrofonin tonë, kryetari i Këshillit Papnor “Cor Unum”, kardinali Pol Jozef Kordes:
Gëzohem që Papa ka zgjedhur këtë temë. Jetojmë në një botë, ku mbretëron kulti i trupit. Është e vërtetë se Shën Pali thotë: “Askush nuk e ka përbuzur kurrë trupin e vet”, prandaj është e rëndësishme të kujdesemi për trupin. Por, nganjëherë, ky kujdes është i ekzagjeruar. Vetëm në Gjermani, janë shitur 18 milion paketa për t’u dobësuar. Nuk duhet ta kurojmë në ekstrem trupin. Prandaj, ishte e rëndësishme që Papa të fliste për agjërimin. Përveç kësaj, edhe fe të tjera praktikojnë agjërimin: njohim Ramazanin e myslimanëve. Në një kontekst fesh të ndryshme, është detyrë e rëndësishme të nënvizohet rëndësia e agjërimit fillimisht, e pastaj, të zbulohet veçoria e atij të krishterë.
Ky kujdes extrem për trupin, siç thatë ju, a mund të sjellë një adhurim jo të zakonshëm për të?
Sigurisht. Thoshin romakët: Mens sana in corpore sano. Mendja e shëndoshë ka nevojë për një trup të shëndoshë. Trupi ka vlerën e vet, nuk mund ta mohojmë. Por, kujdesi i jashtëzakonshëm për trupin ka gjithnjë rreziqe me vete. Reklamat, për shembull, na tregojnë trupa të bukur: rrallë paraqesin të moshuarit që vuajnë. Trupi vihet kaq shumë në dukje, saqë nuk shohim më atë që është më i rëndësishëm se trupi, nuk shohim shpirtin, vullnetin, lirinë. Janë vlera abstrakte, por të rëndësishme për të t’i dhënë trupit vendin e duhur. Kulti i trupit është shumë i rrezikshëm, pasi dëshira për ta dominuar përmes vullnetit të njeriut, e kthen trupin në tiran.
Eminencë, ku dallohet agjërimi i krishterë nga ai i feve të tjera?
Nëse shohim fetë e tjera të mëdha zbulojmë se Islami, për shembull, nuk ka të njëjtën marrëdhënie me Krijimin si krishterimi. Islami nuk mund të zbulojë tek Krijimi asnjë element hyjnor, sepse Allahu është larg tij. Allahu i jep shpirt Krijimit përmes ligjit, përmes sharisë, por nuk ka me të asnjë marrëdhënie personale. Ndërkaq, i krishteri mund të identifikohet me Krijimin, pasi Krishti është Biri i Hyjit të mishëruar. Kjo na lejon ne të kemi marrëdhënie me vetë Zotin. Krishti është modeli ynë, Ai shkoi në shkretëtirë e kështu, në agjërim mund të gjejmë vetë Jezu Krishtin. Më duket se të gjitha mënyrat e agjërimit janë të rëndësishme, por qëllimi është të shikojmë se si e përjeton Jezu Krishti agjërimin në shkretëtirë: aty kemi përpara një person. Islami ka përpara një ligj, një Allah të largët, ne kemi Krishtin pranë, që na jep shembullin si të agjërojmë. E rëndësishme është që në agjërim të gjejmë Krishtin.
Agjërimi i vullnetshëm në kohën e Kreshmëve, a mund të kontribuojë në luftën kundër varfërisë në botë?
Papa e thotë mjaft qartë në Mesazh. Nëse unë mohoj diçka të mirë e të dobishme për trupin tim, më mbetet edhe një sasi parash në dorë. Nëse mohoj televizionin për sytë e mi, do të kem kohë të lutem. Nëse e fshij nga zemra krenarinë, ndoshta do të kem dëshirë të rrëfehem. Kështu, koha e Kreshmëve është për mua kohë e thellimit në jetën e krishterë. Është gati një ushtrim shpirtëror. Kisha na ofron 40 ditë për t’u përgatitur për Pashkët. Nganjëherë është menduar se përgatitja ishte vetëm dhënia e lëmoshës e njerëzit thoshin: nëse bëj një ofertë të mirë e kam bërë përgatitjen. Por, ky Mesazh i Papës për Kreshmët na tregon qartë se ekzistojnë elemente të tjera të rëndësishme, që i japin kuptimin e vërtetë Kreshmëve, të cilat janë përgatitje për t’i kremtuar Pashkët si vdekje e ngjallje e Jezu Krishtit.







All the contents on this site are copyrighted ©.