2009-02-24 15:25:10

Të ndërpriten shpenzimet e kota: receta e Obamës kundër krizës


(24.02.2009 RV)Fjalimi i parë i presidentit amerikan Barak Obama në Kongres. Ja receta e tij për t’i nxjerrë SHBA-të nga kriza ekonomike: më shumë persona të kenë asistencë shëndetësore, të forcohet mbështetja për të ashtuquajturat “energji alternative”, të shpenzohen në mënyrë të përgjegjshme fondet e paketës prej 787 miliard dollarësh kundër krizës. Një plan që përkrahet gjerësisht nga opinioni publik, ashtu si ai i 75 miliard dollarëve, për të ndihmuar familjet, që mund të humbin shtëpinë, pasi nuk arrijnë të paguajnë më kreditë. Sipas gazetave amerikane, 7 ndër 10 amerikanë mendojnë se Obama po e mban premtimin për të sjellë ndryshime në qeverisjen e Uashingtonit dhe 8 ndër 10 mendojnë se puna e tij konfirmon e madje tejkalon parashikimet.
Obama distancohet pra nga politika ekonomike e parardhësit të tij, Xhorxh Bush. Të dëgjojmë mendimin e përgjegjësit të shërbimit të jashtëm të Emisionit televiziv të Lajmeve në RAIUNO, Paolo Mastrolili:
Natyrisht që Obama duhet të justifikojë masat që po merr dhe duhet t’u shpjegojë SHBA-ve psenë e kësaj krize. Administrata e mëparshme kritikohet, në veçanti, për dy gjëra: mungesa e kontrolleve dhe shpenzimet e mëdha, sidomos për luftrat.
Dalja nga kriza kërkon sakrifica, por ulja e shpenzimeve shndërrohet edhe në pamundësi për të garantuar politika shoqërore në favor të shtresave më të dobta të popullsisë…
Obama dëshiron t’i ndihmojë shtresat më të dobta. Problemi është se që tani i është dashur të shpenzojë shumë për të ndihmuar bankat dhe institutet financiare. Pastaj një ndërhyrje e dytë për të nxitur zhvillimin ekonomik. E natyrisht, tani duhet të ndërhyjë për të ndihmuar bankat në vështirësi, si City Group. Qeveria amerikane duhet të marrë pjesë në kapital me 40%. Këto janë shpenzime që duhen përballuar. Detyra e tij, shumë e vështirë, do të jetë gjetja e mënyrës për të ulur shpenzimet, pa penalizuar shtresat më të dobta të shoqërisë.
Si mund të ndikojë politika ekonomike e Obamës në politikën e jashtme të SHBA-ve?
Presidenti Obama e ka shprehur tashmë vullnetin për t’u çimpenjuar në Irak e pra për të zvogëluar shpenzimet në këtë teatër lufte. Ndërsa, në Afganistan do ta rrisë praninë ushtarake. Në të vërtetë, gjendja është shumë delikate. Obama dëshiron të kursejë para edhe në këtë sektor, por nuk mund ta bëjë në dëm të sigurisë së SHBA-ve. Prandaj, do ta zvogëlojë diku praninë amerikane, por nuk mund të shtyhet tepër.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.