2009-02-24 15:25:25

Kryeministri izraelit Ehud Olmert kërkon falje për programin televiziv blasfemues.


(24.02.2009 RV)“Kryeministri i shtetit të Izraelit Ehud Olmert, kërkoi dje të falur publikisht për programin që u transmetua ditët e fundit nga televizioni privat izraelit “Kanali 10” në të cilin viheshin në lojë, - me fjalë e imazhe blasfeme - Jezusi dhe Virgjëra Mari”. Kështu shkruan sot gazeta “L’Osservatore Romano” në një artikull ku u botua fjalë për fjalë deklarata e Olmertit. Në këtë deklaratë kryeministri izraelit thotë shprehimisht: “Dënoj të gjitha pohimet që u bënë gjatë atij programi. Sikur kjo të kishte ndodhur në një vend tjetër kundër hebraizmit, do të kishte shkaktuar një valë zemërimi. Më vjen keq për të gjitha deklaratat kundër bashkësisë së krishterë dhe në veçanti kundër bashkësisë së krishterë që jeton me ne në Izrael. Marrëdhëniet tona me Vatikanin dhe me botën e krishterë janë të shkëlqyeshme dhe nuk ka asnjë arsye se pse duhet t’i vëmë në diskutim”.
Kryeministri Olmert pasi siguroi se nuk është qëllim i tij ai i kufizimit të lirisë së shprehjes, - vë në dukje përsëri gazeta vatikanase “L’Osservatorio Romano”- “kërkoi që të veprohet me ndjenjë përgjegjësie dhe me moderim edhe atëherë kur bëhet fjalë për një shfaqje satirike.”







All the contents on this site are copyrighted ©.