Ati i Shenjtë Benedikti XVI uron që fetë të ndihmojnë për paqën dhe dialogun.
(24.02.2009 RV)Benedikti XVI uron që Lindja e Mesme të bëhet “një tokë dialogu
dhe bashkëpunimi vëllazëror, respekti të ndërsjellë dhe paqeje, falë kontributit të
përgjegjshëm të të gjithë banorëve që jetojnë aty.” Ky urim e këto shpresa të Papës
gjetën shprehje në letrën që Sekretari i Shtetit Tarçizio Bertone u dërgoi pjesëmarrësve
në Ditën e Studimeve dhe të reflektimit me titull “Vlera e Kishave të krishtera në
Lindje të Mesme – të krishterët dhe myslimanët diskutojnë së bashku”, promovuar nga
Bashkësia e Shën Egjidit që u zhvillua sot në Romë. “Është një temë – thuhet në letrën
e kard. Bertones – me rëndësi të qartë shoqërore dhe fetare.”
Takimi që përbën
një hap të mëtejshëm në dialogun e dobishëm ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve
për tema me interes të ndërsjellë, përpiqet të shqyrtojë atë që është thelbësore:
praninë e bashkësive të vogla të krishtera në zona e krahina ku shumica është myslimane.
Qëllimi i këtij takimi është të vihet në pah se prania e të krishterëve në Lindje
të Mesme është një pasuri e vërtetë për mbarë shoqërinë dhe garanci për zhvillimin
shoqëror, kulturor dhe fetar.
Në letër Sekretari i shtetit të Vatikanit kard.
Tarçizio Bertone u përcolli organizatorëve dhe pjesëmarrësve të këtij takimi ndjenjat
e respektit dhe të miqësisë të Atit të Shenjtë Benediktit XVI, i cili “lutet që bekimi
hyjnor të zbresë mbi këtë mbledhje të rëndësishme dhe uron me gjithë zemër që prej
saj të dalin elementë të dobishëm për ta bërë gjithnjë e më vëllazëror dialogun ndërmjet
të krishterëve dhe myslimanëve, veçanërisht në zonat ku bashkësitë e krishtera janë
pakicë.” Gjithnjë në lidhje me këto tema, në letrën e vet kardinali Tarçizio Bertone
kujtoi fjalimin e Benediktit XVI mbajtur përpara përfaqësuesve myslimanë në Këln në
gusht të 2005-ës dhe takimin e tij të 6 nëntorit 2008 me pjesëmarrësit në forumin
katoliko-mysliman promovuar nga Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar.