2009-02-23 18:23:10

Temat e G8-ës dhe kriza financiare botërore


(23.02.2009 RV)Të luftohen efektet e dëmshme të krizës aktuale ekonomike, me rregulla më të rrepta financiare, për të parandaluar përsëritjen e kësaj situate në të ardhmen. Ky është mendimi i njëzëshëm, që doli nga takimi i vendeve të G8-ës plus Spanjën e Hollandën, në Berlin. Mbledhja u bë për të përgatitur takimin më të zgjeruar G20, në prill, në Londër.
Italia, Franca, Gjermania, Britania e Madhe, Spanja e Hollanda përvijuan disa linja të përbashkëta për mbikqyrjen e të gjitha produkteve financiare dhe për të kundërshtuar krijimin e të ashtuquajturave “parajsa fiskale”. Të gjithë dakord edhe mbi nevojën e rritjes së burimeve për Fondin Monetar Ndërkombëtar. Gjithçka çon drejt rishikimit të rregullave për tregjet financiare, duke mbrojtur parimin e konkurrencës, por duke shmangur ekxtremet, që sollën krizën ekonomike botërore. Të dëgjojmë parashikimin e Hosè Angel Gurria, sekretar i përgjithshëm i Organizatës për bashkëpunimin dhe zhvillimin ekonomik:
“Do të jetë një vit shumë, shumë i vështirë, e të shohim nëse – siç thuhet - do të shihet drita në fund të tunelit, në vitin 2010, por të shpresojmë sidomos të vemë rregull në sistemin financiar, pasi ky i fundit, sot, vazhdon të jetë një pengesë e jashtëzakonshme”.
Jo vetëm G20-a në Londër, por edhe mbledhja e ardhshme e G8-ës, që do të zhvillohet në korrik në Itali, konsiderohet si një nga takimet e rëndësishme për marrjen e masave kundër krizës. Kryeministri italian propozoi në Berlin një takim edhe me presidentin amerikan, Barak Obama. Mbi përparësitë e G8-ës, të dëgjojmë zv.sekretarin italian në Ministrinë e Jashtme, Vinçenco Skoti:
“G8-a do të merret jo aq me masat e menjëhershme, se sa me ato të perspektivës, pra me politikat e zhvillimit, duke parë jo vetëm vendet e e industrializuara, por duke marrë përsipër edhe problemin e vendeve më të varfëra, që po vuajnë më shumë nga kriza. Do të diskutohen edhe aspekte politike - duke filluar nga Afganistani - probleme që kanë të bëjnë me mospërhapjen e armëve”.
Kujdesi i veçantë për vendet më pak të zhvilluara nuk është thjesht çështje bamirësie. Ndikimi i krizës mbi ta mund ta kapërcejë aspektin humanitar, siç pohon drejtoresha ekzekutive e Programit Ushqimor Botëror, Zhozetë Shiran:
“E kemi për detyrë njerëzore të ndihmojmë ata që ndodhen në vështirësi. Përsa u përket varfërisë e urisë, çështja e kapërcen këtë ndjet të thjeshtë. Në fakt, jetojmë në një botë të ndërlidhur e, nëse një pjesë e njerëzimit nuk ka ushqim, efekti do të jetë destabilizues për pjesën tjetër. Prandaj, nëse nuk arrijmë të veprojmë për mëshirë, të paktën të veprojmë në mënyrë egoiste për një botë më të qëndrueshme”.







All the contents on this site are copyrighted ©.