2009-02-22 16:10:12

Shenjtorët e javës sipas Kalendarit kishtar


(22.2.2009 RV)Sot është ditë e diel, 22 shkurt, e kisha kremtoi të dielën e 7-të gjatë vitit kishtar, sipas kalendarit liturgjik e po sot kalendari kishtar përkujtoi Shën Maksimianin e Ravenës e Shën Margaritën e Kortonës. Në liturgji besimtari me Psalmistin e larton zërin plot besim drejt qiellit duke thënë: “Zoti është bariu im, asgjë nuk më mungon!”. Festa e Katedrës së Princit të Apostujve, na kujton se epërsia e Pjetrit dhe e pasardhësve të tij, Papëve, në Kishë nuk është epërsi sundimi, por epërsi në shërbim të grigjës që u është besuar nga Mësuesi Hyjnor.


Nesër e hënë, më 23 shkurt, kalendari kishtar përkujton Shën Polikarpin, ipeshkëv i Smirnës e martir dhe Shën Gjyzepinen Vanini, virgjër. Ata na kujtojnë se Ati është gjithnjë te pragu, në pritje të kthimit tonë. Tek ai nuk paraqitemi si shërbëtorë, sepse një të arritur, Ai, na rijep menjëherë dinjitetin e pafundmë të bijve të vet.
 
Të martën e ardhshme më 24 shkurt, kalendari kishtar përkujton shën Sergjin, Evecin e Pjetrin, martirë. Ata na kujtojnë se duke shkuar lirisht për të takuar publikanët, mëkatarët e të sëmurët, Jezusi na tregon kuptimin e vërtetë të Ungjillit, prej nga buron thirrja për t’u penduar, që u drejtohet gjithë mëkatarëve.
Të Mërkurën më 25 shkurt, bie e Mërkura e Përhime me të cilën Kisha e fillon kohën liturgjike të Kreshmëve, që është një rast i ri i volitshëm për përgatitjen tonë shpirtërore drejt Pashkëve. Me të Mërkurën e Përhime nisin edhe meditimet e kohës së fortë kreshmore, kohë që na fton të bëjmë vepra bamirësie, të pendohemi, të agjërojmë e të kthehemi në rrugën e Hyjit, duke iu lutur me gjithë zemër Zotit për të na falur, me vetëdijen se të gjithë jemi mëkatarë. Nënvizojmë se për besimtarët e Mërkura e Përhime është ditë agjërimi e lutjeje.
Po të mërkurën më 25 shkurt, kalendari kishtar përkujton edhe Nestorin, ipeshkëv të Magjdosit e martir.
Të enjten më 26 shkurt, Kisha do të kremtojë Shën Aleksandrin e Aleksandrisë dhe Shën Faustinianin, ipeshkëv i Bolonjës. Liturgjia e festës së tyre na kujton se gjykatësi që na pret është një i vetëm. Një i vetëm është edhe gjyqi, pa të drejtë apeli. Vendimet janë dy: për jetën e amshuar ose për mundimet e pasosura. Krimi, një: fyerja e Zotit, që ka vijuar të na përsëritë gjithë jetën: “Ma keni bërë mua!”.
 
Të premten më 27 shkurt, kalendari kishtar kremton festën e Shën Gabrielit të Zojës së Dhimbshme, rregulltar pasionist. Na kujton se kush shpreson në Zotin, nuk mbetet kurrë i zhgënjyer.
 
Të shtunën më 28 shkurt, kalendari kishtar përkujton Shën Hilarin, papë, Shën Romanin,abat e Shën Osvaldin; Liturgjia e ditës na kujton se banorët e Ninives, pasi dëgjuan predikimin e Jonës, u penduan; edhe Mbretëresha e Sabës e dëgjoi me vëmendje dijen e Salomonit. Ndërsa kush i kundërvihet Jezusit, s’bën tjetër veçse të tregojë masën e arrogancës e të mbrapshtisë së vet.
 
Të dielën më 29 shkurt, bie e diela e Parë e Kreshmeve e po të dielën e ardhshme kalendari kishtar përkujton edhe Shën Feliçin, papë dhe shën Albinin, ipeshkëv i Anzhé. Në liturgjinë e festës së tyre jehon fuqimisht britma e mëkatarit të penduar drejtuar Zotit: “Dëgjoje, o Zot, të varfërin që të lutet!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.