Përmes shërbimit realizohet liria e vërtetë: kështu Papa gjatë vizitës në Seminarin
e Madh Romak
(21.02.2009 RV)Liri do të thotë
t’u shërbesh të tjerëve: kështu u tha Papa, të premten pasdite, seminaristëve në Romë,
me të cilët u takua në prag të Festës së Zojës së Besimit, Pajtore e Seminarit të
Madh Romak. Në Kapelën e Institutit, Benedikti XVI mbajti një lectio divina mbi Letrën
e Shën Palit drejtuar Galatasve. Pikërisht përmes Shën Palit, Ati i Shenjtë u shpjegoi
seminaristëve se ç’do të thotë “liri”: “Shën Pali përdor një paradoks të fortë:
“Përmes bamirësisë e dashurisë, jeni në shërbim”; pra liria, paradoksalisht, realizohet
përmes shërbimit, bëhemi të lirë, nëse bëhemi shërbëtorë të njëri-tjetrit… E vërteta
është se para së gjithash, ne jemi krijesa të Zotit e jetojmë në marrëdhënie me Krijuesin.
Jemi qënie racionale. E vetëm duke e pranuar këtë racionalitet, hyjmë në të vërtetën,
përndryshe biem në gënjeshtër e në të, se fundi, shkatërrohemi”. Si krijesa
të Zotit, vazhdoi Benedikti XVI, varemi prej Tij, por kjo nuk është tiranì, është
dashuri. Kjo varësi është liri, pasi kështu jemi të mbrojtur nga dashuria e Krijuesit.
Nga kjo marrëdhënie lindin marrëdhëniet brenda familjes: “Liri njerëzore është,
nga njëra anë, të jesh në gëzimin e në hapësirën e madhe të dashurisë së Zotit, por
do të thotë edhe të jemi njëri për tjetrin e njëri me tjetrin. Nuk ka liri kundër
tjetrit. Nëse unë e konsideroj lirinë time absolute, bëhem armik i tjetrit, nuk mund
të bashkëjetojmë më e krejt jeta bëhet tmerr, dështim”. Papa ndenji për darkë
me seminaristët e uroi që të rritet gjithnjë e më shumë numri i thirrjeve meshtarake.