2009-02-21 11:27:13

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 7-të gjatë vitit kishtar ciklit të dytë,“B"


(21.2.2009 RV)RealAudioMP3 Dëgjues të nderuar ia përsëri në takimin tonë javor të shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe të dielës së VII-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik.
Nën udhëheqjen e Shën Markut Ungjilltar, këtë të diele do të bëjmë edhe një hap më tej, përpara në njohjen e figurës së Jezu Krishtit, në njohjen e identitetit të vërtetë të tij. Këtë, Shën Marku ungjilltar e bën përmes një ngjarjeje të jashtëzakonshme, përmes shërimit të një personi të paralizuar .
Leximet biblike të kësaj së diele mund t’i lexoni në Leksionar apo në Bibël: Izaia 43,18-19.21-22-24-25; Psalmi 41 (40); Letra e Shën Palit 2 Kor 1,18-22; Ungjilli Shën Marku 2,1-12.
Pjesët biblike vejnë në dukje se kjo mrekulli e shërimit të të paralizuarit që bëri Jezusi, është shenjë e një shërimi më rrënjësor, më të thellë se sa shërimi fizik, është shenjë e shërimit shpirtëror, e shërimit nga mëkatet. Pikërisht ky fakt, i faljeve të mëkateve, na bënë ta kuptojmë identitetin e vërtetë të Jezusit. Ai është Biri i Zotit, që është bërë njeri, për shpëtimin e shërimin shpirtëror të njerëzimit.
Si gjithmonë, edhe sot, një prej aspekteve që i nxitë shumë njerëzit që t’i japin kredit një personi, është pa dyshim ‘pushteti që ka e që mund ta ushtrojë.
Të gjithë ne, kush ma shumë e kush ma pak, jemi të tërhequr nga pushteti, vrapojnë tek ata që janë të pushtetshëm, kërkojmë të vejmë kontakte e të kemi marrëdhënie me njerëz që kanë pushtet, në mënyrë të sigurojmë ndonjë të mirë, ndonjë favor si në planin personal, poashtu edhe në atë social, ekonomik, politik apo fetar.
Edhe Jezusi kishte një ‘pushtet’ e këtë e hetuan dhe e dinin fare mirë banorët e Kafarnaumit, burra e gra, të sëmurë e të shëndosh, që drejtoheshit plotë shpresë kah vendi ku ai rrinte. Jezusi nuk e zhgënjeu turmën e popullit: ai e ushtrojë ‘pushtetin’e vet në dobinë e njerëzve e pushteti i tij qëndronte në Fjalën shpëtimprurëse të Zotit, që Ai predikonte dhe dëshmonte me vepra.
Ky është pushteti i vërtetë i Jezusit, dhe pikërisht duke e ushtruar këtë pushtet Ai e dëfton identitetin e vet e qëllimin më të thellë të misionit të ve: shpëtimi i njeriut prej të gjitha formave të robërisë, posaçërisht nga robëria e mëkatit dhe e vdekjes së përjetshme.
Po më gjerë, ti dëgjojmë me fe e zemër të hapur, Fjalët Hyjnore që na i propozon Liturgjia shenjte e së dielës së 7-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë….

Nga dëgjimi i leximeve biblike të kësaj së diele, e kemi më të qartë idenë se Kush është Jezusi!?
Kjo është pyetja që e bën njeriu i çdo epoke; e kjo është pyetja që e bëjmë edhe ne sot. Duke lexuar e dëgjuar ungjillin, tashmë e dimë se Jezusi është ai që befason, trondit dhe ai që e ndryshon jetën e atij personi që e takon. Jezusi e kumton, e predikon mbretërinë e Zotit; i shëron të sëmurit, dhe i nxitur e i prekur nga dhembshuria, e shpëton të gërbulurin.
Ai është predikatar e shërues. Mirëpo…. Ai është shumë më tepër se kaq. Ungjilltari e bashkë me të edhe Kisha, na përkujtojnë se Jezusi, është “Biri i Zotit, që ka pushtetin t’i falë mëkatet mbi tokë”. Vetëm Zoti mund ta bëjë këtë gjë (punë) sepse mëkati thelbësisht është fyerje e Zotit. E pasi Jezusi i falë mëkatet, e bënë këtë porsi Bir i Zotit, ai e ka për mision t’ua komunikojë dhe ofrojë të gjithë njerëzve faljen e Zotit.
Leximet biblike të kësaj së diele, pra, na thërrasin, të meditojmë e të besojmë se mëkati është një realitet shumë më i rëndë e më i keq se çdo sëmundje fizike e trupore. Për këtë, veprën e të falurit të mëkateve, veprën e shpëtimit, Jezusi ua beson apostujve të vet, e falja – shlyerja e mëkateve është mrekullia e vërtetë për çka çdo njeri sot ka nevojë.
Me shërimin e personit të paralizuar – për çka na foli ungjilli i kësaj së diele – Jezusi na bënë me dije se, nëse duam, ai na shëron shpirtin, ai na çliron zemrën prej të këqijave dhe bënë krijesa të reja, njerëz të ri në dashurinë e pakufishme të Zotit Atë.
Mesazhi kryesore i leximeve biblike të kësaj së diele është i qartë: para së keqes së mëkatit, që e mundon, e sundon, e pushton njeriun, Jezusi dëftohet ( shfaqet), me fjalë dhe me vepra, porsi Ai që mund ta shërojë njeriun jo vetëm prej sëmundjeve fizike, por edhe e në rend të parë, rrënjën e thellë të së keqes, me faljen e mëkateve, do të thotë Jezusi e shëron njeriun edhe nga e keqja shpirtërore, nga sundimi i mëkatit, nga sundimi e pushtimi i djallit të mallkuar dhe nga vdekja e përjetshme. Në dhe me Jezusin, mund të rifillojmë gjithmonë një jetë të re, të lirë e të liruar nga mëkati, nga i keqi dhe nga e keqja......RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.