2009-02-21 16:38:19

80 vjetori i Vatikanit: editorial i atë Lombardit


(21.02.2009 RV)RealAudioMP3 Në ditët e kaluara, Italia e Selia e Shenjtë kremtuan 80-vjetorin e Pakteve Lateranense. Të dëgjojmë opinionin e drejtorit tonë të përgjithshëm, njëkohësisht drejtor i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi:

Me një traktat të rëndësishëm lindte Qytet-Shteti i Vatikanit, i cili i njihte Papës sovranitetin e plotë mbi këtë territor të vogël, nga ku, në liri të plotë, do të mund të qeveriste Kishën katolike universale, pa asnjë kushtëzim nga ana e qeverisë italiane. Përfundonte kështu një periudhë tensioni të madh ndërmjet Papatit dhe Italisë, pas fundit të shteteve papnore dhe bashkimit italian në vitin 1870. Manifestime të rëndësishme kulturore kanë nxjerrë në dritë rolin themelor të Papës Piu XI në pajtimin ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Italisë e në ndërtimin e strukturave të nevojshme për funksionimin e shtetit të ri. Edhe një herë, me të drejtë, u ngul këmbë mbi faktin se njohja dhe statusi i Selisë së Shenjtë, si qendër e udhëheqje e Kishës, nuk varet nga ekzistenca e shtetit të vogël, por përkundrazi, ai ekziston e duhet të ekzistojë, sepse Papati është një autoritet shpirtëror e moral me rëndësi botërore e duhet të jetë në gjendje të ushtrojë funksionin e vet, pa asnjë ambicie për pushtet tokësor, por në pavarësi e autonomi të plotë.

 
Por ka edhe një aspekt tjetër, të cilin duam ta theksojmë. Pse është e drejtë që Papa të qëndrojë në Vatikan, që shteti i tij i vogël të jetë këtu e jo diku tjetër? Për një arësye shumë të thjeshtë: këtu është martirizuar Shën Pjetri, këtu vdiq, e këtu ndodhet varri i tij, ku vijnë në shtegtim besimtarë nga bota mbarë. “Petros eni”, “Pjetri është këtu”, është frazë e skalitur në një mur shumë të lashtë, që gjendet ekzaktësisht nën elterin qendror të Bazilikës, nën kupolën e madhe. Prandaj, Pasardhësi i Shën Pjetrit është këtu e prej këndej udhëheq Kishën: nga Qyteti i Vatikanit.







All the contents on this site are copyrighted ©.