2009-02-20 17:04:42

Shqipëria përkujton viktimat e sistemit komunist


(20.2.2009 RV. nga ATSH-ja)Ekspozita "Nderim viktimave të sistemit komunist",që u hap sot në Tiranë, nën kujdesin e Kryeministrit Sali Berisha, solli në memorien e gjithkujt 20 Shkurtin e vitit 1991, një ditë që na ndan nga e kaluara, dita që përkujton ata që provuan në lëkurë moralin e një shoqërie ku diktatura vret e dënon me vdekje deputetë, poetë, arsimtarë, njerëz të letrave, fjalën e lirë.
Kjo ditë e shpallur si "Dita kombëtare e nderimit të viktimave të komunizmit", kurorëzoi sot ekspozitën më të madhe në vend, detajet rrënqethëse që sjellin në memorie vuajtjet dhe masakrat e diktaturës Enveriste përgjatë viteve 1943-'90, të publikuara në hollin e Muzeut Historik Kombëtar.
Një instalacion i përbërë nga një gardh me tela me gjemba 15-metra i gjatë dhe 3-metra i lartë, është pozicionuar në qendër të kësaj ekspozite, element që sjell një fragment të vogël të mijëra shqiptarëve që vuajtën në burgjet dhe kampet e punës.
Ky instalacion rrethohet në mënyrë lineare me printime të fotografive origjinale në cilësi të lartë, bardhë e zi, që dokumenton skenat rrënqethëse të realizmit socialist, të cilat qarkojnë ekspozitën të kthyera në foto instalacione me ndriçim nga pas.
Të gjitha këto shoqërohen me projeksione filmike, të cilat shfaqin momente të përshkallëzimit të dhunës dhe krimeve të kryera gjatë gjithë periudhës në fjalë, të cilat së bashku me foto-instalacionet janë materiale pamore origjinale që shfaqen për herë të parë.
Ekspozita përqendrohet në rend kronologjik në ngjarjet kryesore të periudhës së social-realizmit, që fillon me krimet e komunizmit në nëntor 1944, kryqëzimi inteligjencës dhe shtypja e qëndresës dhe mendimit të lirë, linçimi i fesë dhe i klerit, vrasjet masive dhe djegiet, asgjësimi i intelektualëve dhe torturat makabre të armiqve të popullit, vrasjet në kufi në vitet 89-91, etj.
6535 viktima mbetën të pushkatuar e të vdekur në burgjet e komunizmit. U internuan, torturuan në mënyra çnjerëzore mijëra të tjerë, me qëllim që t'i çonin në çmendi ata të cilët guxuan t'i kundërvihen sistemit, sistem që nuk kurseu as edhe një.
Në çeljen e ekspozitës ministri Kulturës z. Ylli Pango u shpreh se, "Është data 20 shkurt, data e rrëzimit të simboleve komuniste, data që qeveria shqiptare ka vendosur ta përkujtojë gjithmonë si dita e nderimit të viktimave të shumta të komunizmit shqiptar të diktaturës më gjakësore që njeh Europa".
"Prandaj jemi përpjekur në këtë ekspozitë të paraqesim në rend kronologjik vitet e luftës e deri në telat me gjëmba të viteve 90-të, tmerret e diktaturës. Jemi përpjekur të japim rrathët egoncetrik të ferrit komunist, të përkujtojmë të gjithë viktimat, martirët që përjetuan në këtë epokë skëterrin e një sistemi të egër duke besuar se shpirtrat e tyre ndodhen sot në qiell", shtoi ministri Pango.
Fondi i kësaj ekspozite do të integrohet dhe do të jetë bërthama e një pavioni të përhershëm në MK, për t'u transferuar në një muze të ardhshëm vetëm për genocidin e periudhës në fjalë. Krahas muzeut është menduar të ndërtohet dhe një obelisk, i cili do të vendoset në sheshin përballë Qëndrës Ndërkombëtare të Kulturës "Arbnori", në Tiranë.
Për realizimin e kësaj ekspozite kontribuan Agjensia Telegrafike Shqiptare, Arkivi Qëndror i Shtetit, Arkivi Ministrisë së Brendshme, Arkivi i Filmit Dokumentar të televizionit Shqiptar, Arkivi Qëndror Shtetëror i Filmit, Instituti Përndjekurve Politikë, Komiteti Kulteve, Galeria Kombëtare e Arteve, Muzeu Historik Kombëtar, Qendra e Studimeve Albanologjike, etj.

Statistika të viktimave të sistemit komunist, publikuara nga MTKRS:
1. Të pushkatuar 5548 Nga këta 91 gra
2. Të burgosur 14563 Nga këta 445 gra
3. Të vdekur në burg 987 Nga këta 7 gra
4. Të futur në psikiatri 308 Nga këta 35 gra
5. Të internuar e dëbuar 21401 Nga këta 322 gra
Gjithsej të pushkatuar e të vdekur në burgjet e komunizmit numërohen 6535 viktima. Prej tyre numërohen klerikë katolikë 120 persona, myslimanë 60 persona, bektashinj 83 persona, ortodoksë 39 persona. Teksa u shkatërruan dhe u mbyllën 2169 institucione fetare, prej të cilave 740 xhami, 608 kisha e manastire ortodokse, 157 kisha e manastire katolike, 530 teqe e tyrbe.







All the contents on this site are copyrighted ©.