2009-02-20 17:38:12

Papa IFAD-it: të mbështetet zhvillimi bujqësor për të çrrënjosur varfërinë dhe urinë


(20.02.2009 RV)RealAudioMP3 Çrrënjosja e varfërisë dhe e urisë në botë nuk është utopi, por detyrim për të gjithë bashkësinë ndërkombëtare. Kështu tha Papa Benedikti XVI sot paradite, në audiencën me drejtuesit e Fondit ndërkombëtar për zhvillimin bujqësor (IFAD). Organizata e OKB-së feston 30 vjetorin.
Ati i Shenjtë u ndal veçanërisht në krizën ekonomike botërore dhe në rolin e IFAD-it për të gjetur strategji të reja afatgjata, të afta t’i bëjnë ballë pasigurisë ushqimore dhe paqëndrueshmërisë së çmimeve. Është e nevojshme që vendet e pasura të bashkëpunojnë me vendet e varfëra, theksoi Papa Racinger. Është e nevojshme që të krijohen mundësi të reja pune brenda bashkësive fshatare, në mënyrë që ato të bëhen gjithnjë e më të pavarura nga fondet e jashtme. Benedikti XVI përmendi veçanërisht projektet e “kreditit rural”, që kanë për qëllim të ndihmojnë bujqit e vegjël dhe fshatarët pa tokë:
“These projects also help indigenous communities…
“Këto projekte ndihmojnë gjithashtu bashkësitë e vendit për t’u zhvilluar në tokën e tyre dhe për të jetuar në harmoni me kulturën e tyre tradicionale, në vend që të detyrohen të emigrojnë për të kërkuar punë në qytete të superpopulluara, plot probleme shoqërore, ku shpesh duhet të durojnë kushte jetese shumë të këqia”.
Organizatat jo qeveritare, nënvizoi Ati i Shenjtë, mund të japin një kontribut të çmuar për përmirësimin e gjendjes. Disa prej tyre janë të lidhura ngushtë me Kishën Katolike e impenjohen në zbatimin e doktrinës shoqërore të saj. Ndër parimet themelore të kësaj doktrine është ai i ndihmës, sipas së cilës “çdo grup i shoqërisë është i lirë të japë kontributin e vet për të mirën e të gjithëve”: 
“All too often, agricultural workers…
“Tepër shpesh, fshatarëve të vendeve në zhvillim u mohohet kjo mundësi, kur puna e tyre shfrytëzohet me grykësi dhe prodhimi dërgohet në tregje të largëta, me pak ose aspak përfitim për bashkësinë lokale”.
Një shoqëri vërtet njerëzore, vazhdoi Papa, do të dijë si ta çmojë dhe ta shpërblejë ndihmën për sektorin bujqësor, i cili nëse mbështetet, i ka të gjitha mundësitë për ta nxjerrë një komb nga varfëria dhe për ta zhvilluar atë më tej. Është i nevojshëm një bashkëpunim më i madh në familjen njerëzore, për të garantuar shfrytëzimin e barabartë të pasurive të Tokës, sot e në të ardhmen:
“The motivation to do this comes from love…
“Motivi për ta bërë këtë vjen nga dashuria: dashuria për të varfërit, dashuria që nuk mund të tolerojë padrejtësinë dhe privimet, dashuri që nuk është në paqe derisa varfëria e uria të mos zhduken nga jeta e njerëzimit. Objektivi për të çrrënjosur varfërinë ekstreme dhe urinë, ashtu si edhe promovimi i sigurisë ushqimore dhe i zhvillimit të fshatit, larg së qeni tepër ambicioz apo jo real, bëhet, në këtë kontekst, një imperativ i detyrueshëm për krejt bashkësinë ndërkombëtare”.







All the contents on this site are copyrighted ©.