2009-02-18 18:48:26

Papa flet në audiencë për Shën Bedën, teolog i lashtë, e lutet që Evropa të rizbulojë rrënjët e krishtera për të qenë "më njerëzore".


(18.2.2009 RV)RealAudioMP3 Të kujdesesh në mënyrë të pareshtur për formimin fetar “për të mishëruar në jetë” atë që kremton në liturgji. Ky është një prej mësimeve për të krishterët bashkëkohorë, që Benedikti XVI nxori nga shkrimet e figurës së njohur erudite të Mesjetës së Lartë, Beda i Nderuar, të cilin e paraqiti në katekizmin e audiencës së përgjithshme, mbajtur sot paradite në Vatikan para afër 20 mijë besimtarëve e shtegtarëve të ardhur prej vendeve të ndryshme të botës. Beda i Nderuar, kontribuoi “në ndërtimin e një Evrope të krishterë”, tha Papa, duke uruar që Kontinenti i Vjetër të rizbulohet si i tillë duke u nisur nga rrënjët e veta të lashta.
Teolog, biblist, liturgjist, historian i Kishës, Beda i Nderuar është figurë poliedrike e mendjemprehtë e kohës së vet – asaj të mesjetës – kur studiuesi ushtronte në të njëjtën kohë e me mjeshtëri disa disiplina (shkenca). Por Beda është edhe një mjeshtër i jetës së krishterë e jashtëzakonisht aktual ende sot. Ai që nga viti 1300 bëri thirrje që vlerat e Ungjillit të përshkojnë institucionet dhe jetën shoqërore. Prej tij – që jetoi në verilindje të Anglisë ndërmjet dekadave të fundit të shekullit të shtatë e në fillim të shekullit tetë – kemi marrë mësime, të cilat tha Benediktit XVI, janë kurdoherë e plotësisht të përshtatshme për “ nivele të ndryshme të jetës” së krishterë. E në mënyrë të veçantë, Papa nënvizoi:
“Studiuesve ai u përkujton dy detyra thelbësore: të vështrojnë mrekullitë e Fjalës së Zotit për t’i paraqitur ato në formë tërheqëse për besimtarët; t’i paraqesin të vërtetat dogmatike të fesë duke iu shmangur ndërlikimeve heretike e duke iu përmbajtur “thjeshtësisë katolike”, me atë qëndrim që karakterizon të vegjëlit e të përvujtët, të cilëve Zotit i pëlqen t’u dëftojë misteret e Mbretërisë Hyjnore”.
Ndërsa atyre që kanë përgjegjësi baritore në Kishë, Beda i Nderuar u sugjeron ta shoqërojnë predikimin me shprehje e doke të përshpirtshme popullore –ikona, procesione, shtegtime – dhe të privilegjojnë përdorimin e “gjuhës së popullit”. Rregulltarëve e rregulltareve u drejton thirrjen të kujdesen për jetën asketike e kundruese, por edhe për veprimtarinë apostolike. Tharmi ungjillor, për Bedën e Nderuar duhet të mishërohet në një imazh, atë të një “Kishe të zellshme e të shkathët”, “ të zeshkur – shkruan ai – prej lodhjes së ungjillëzimit”. Një Kishë, vijoi Papa Benedikti XVI :
“Që synon të hap fusha tjera apo vreshta e të vendos ndër popullsi të reja ‘jo një kasolle të përkohshme, por një banesë të qëndrueshme’, çka do të thotë që Ungjilli të futet në indin shoqëror e në institucionet kulturore. Në këtë perspektivë Doktori i shenjtë i fton e këshillon besimtarët laikë të jenë të zellshëm në arsimimin fetar (...) I mëson ata si duhet të luten vazhdimisht “duke mishëruar në jetë atë çka kremtojnë në liturgji”.
Gjatë katekizmit të audiencës së përgjithshme, Papa e quajti Bedën e Nderuar ekspert të Shkrimeve të Shenjta, “ mësues të shquar të teologjisë biblike”, historian të vëmendshëm të Kishës për të cilën përpiloi, mes tjerash, një kronologji të gjashtë Koncileve të para ekumenike dhe përshkrimin e herezive që u denoncuan në Koncilet Kishtare. Por Beda i Nderuar është edhe autor i “Historie të njohur kishtare të Popujve Anglezë”, vepër që e bën “atë” të historiografisë angleze, por sidomos – pohoi Papa – të një vizioni të Kishës në kuptimin e plotë kristologjik, aty ku Besëlidhja e Vjetër gjen shpjegimin dhe plotësimin në Krishtin:
“Tiparet karakteristike të Kishës, që Beda i nxjerr në pah më me dashuri janë: së pari , katoliciteti si besnikëri ndaj traditës e njëherësh si hapje ndaj zhvillimeve historike, po kështu si kërkim i bashkimit në shumëllojshmëri, në diversitetin e historisë e të kulturave. (...) Së dyti, apostullimi dhe aspekti romakë: e lidhur me këtë Beda e konsideron si tejet të rëndësishëm bindjen e të gjitha Kishave Iro-Keltike dhe Pite për t’i kremtuar të bashkuar Pashkët sipas kalendarit romak”.
Katekizmi i audiencës së përgjithshme përfundoi me konstatimin e përhapjes së madhe që patën shkrimet e Shën Bedës në zona të ndryshme të Evropës mesjetare. Prandaj, Benedikti XVI përfundoi duke nënvizuar vlerën e këtij aspekti:
Është një fakt se, me veprat e tij, Beda kontribuoi në mënyrë efikase në ndërtimin e një Evrope të krishterë, në të cilën, popullsi e kultura të ndryshme janë gërshetuar mes tyre. Të lutemi që edhe sot të ketë personalitete të lartësisë e të vlerës së Bedës, për ta mbajtur të bashkuar tërë Kontinentin; të lutemi që të gjithë të jemi të gatshëm të rizbulojmë rrënjët tona të përbashkëta, për të qenë ndërtues të një Evrope thellësisht njerëzore e vërtet kristiane”.







All the contents on this site are copyrighted ©.