2009-02-18 18:49:51

Në Francë, Kisha organizon fushatë kundër urisë


(17.2.2009 RV)Në Francë, Komiteti katolik kundër urisë e për zhvillim (CCFD/Toka solidare) i fton besimtarët të kontribuojnë bujarisht në favor të të varfërve në botë në kohën e ardhshme të Kreshmëve, përkundra krizës ekonomike. Fushata do të mbahet në të gjitha famullitë kishtare të Francës nga data 25 shkurt, pra me fillimin e Kreshmëve të Mërkurën e Përhime e deri më 29 mars, të dielën e Pestë të Kreshmëve. Themeluar më 1961, Komiteti mbledh me dhjetëra lëvizje katolike që kanë një qëllim të dyfishtë: realizimin e projekteve konkrete të solidaritetit në Botën e Tretë dhe njëkohësisht sensibilizimin e opinionit publik, sidomos atij katolik, mbi realitetet e mbi shkaqet e nënzhvillimit në botë. Në një komunikatë për agjencinë Apik, vepra bamirëse humanitare përkujton se kriza aktuale ekonomike botërore është duke dobësuar edhe më tepër ata që janë më të lëndueshëm ( janë më të prekshëm) dhe ka rritur numrin e personave që vuajnë nga uria në botë nga 850 në 925 milionë. Nga ky fakt buron thirrja për të zbatuar në mënyrë konkrete solidaritetin me më të varfërit. Shuma e parave që do të mblidhet nga Fushata e Kreshmëve – shpjegon Komiteti – do të mundësojë financimin çdo vit të mëse 500 nismave e projekteve në tetëdhjetë Vende. Nismat kanë për qëllim të ndërhyjnë në mënyrë efikase e afatgjatë kundër urisë e varfërisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.