Më 16 shkurt përkujtojmë 203 vjetorin e lindjes së dom Pjetër Zarishit, meshtar e
poet
(16.2.2009 RV)Prifti dhe poeti atdhetar
dom Pjetër Zarishi lindi në Blinisht, fshat në veri të Shqipërisë, më 16 shkurt 1806.
Mësimet e para i kreu në shkollat vendase klerikale të kohës, studimet teologjike
e filozofike i vijoi dhe i kreu në Romë. Menjëherë pas shugurimit meshtarak, u kthye
në Atdhe. Duke nisur nga viti 1831, shërbeu si prift në Orosh të Mirditës, ku kreu
njëkohësisht edhe punë të ndryshme kishtare administrative, si sekretar i Dioqezit
të Sapës. Krijues i talentuar, ai vijon traditën e filluar nga poeti i parë i letrave
shqipe, Atë Pali prej Hasi, duke shkruar një varg poezish me përmbajtje biblike, patriotike
e shoqërore, që zënë vend të merituar në Historinë e Letërsisë Shqipe. Një pjesë
e vjershave të tij janë botuar te "Hylli i Dritës" më 1914 dhe me 1936 nën kujdesin
e fretërve françeskanë. Të tjerat mbeten në dorëshkrim. Ndërmjet tyre kujtojmë "Kanga
e Shqypnis", "Bylbylit"; "Kanga e Shebes" dhe një poezi kushtuar derës fisnike të
Gjomarkajve të Mirditës. Poezitë përshkohen nga ndjenja të fuqishme të një shpirti
të shqetësuar, që e jeton thellë tragjedinë e Atdheut të pushtuar, të cilin dëshiron
ta shikojë sa më parë të çliruar nga pushtuesi shumëshekullor. Vendin kryesor
në krijimtarinë e meshtarit e zënë poezitë me përmbajtje biblike: shkroi edhe lutje
poetike, himne e tekste këngësh fetare, për të cilat kishte aq shumë nevojë populli
i krishterë i Mirditës së varfër ku kryente misionin, sepse ato i shërbenin si një
katekizëm tepër i kuptueshëm e i lehtë për t'u mbajtur mend. Ndërmjet tyre kujtojmë
poezinë "Dita e Gjyqit". Dom Zarishi është një nga poetët e parë shqiptarë që
provoi me sukses tingëllimen dhe një sërë mjetesh të tjera të vargënimit, që pasuruan
metrikën shqiptare.Të dhënat flasin edhe për hartimin nga ana e tij të një fjalori
e të një gramatike të shqipes, të cilat, si shumë e shumë vepra të klerikëve shqiptarë,
kanë humbur gjatë persekutimeve që nuk i kanë munguar kurrë Kishës katolike.