Sipas kalendarit historik, më 15 shkurt përkujtojmë Atë Lorenc Mazreku OFM
(15.2.2009 RV)Duke shfletuar kalendarin historik, më 15 shkurt përkujtojmë
Atë Lorenc Mazreku (Mitroviq), françeskan shqiptar, në vjetorin e vdekjes së tij.
Atë Lorenc Mazreku (Mitroviç), martir i Fesë dhe i Kombit, lindi në Janjevë, të dioqezës
së Shkupit, më 5 mars 1872 në familjen e Antonit e Anastasisë Glasnoviq Si kreu kolegjin
françeskan të Troshanit, shkoi në Bosnjë për të vijuar studimet për filozofi e teologji.
Atje edhe u diplomua. Zhgunin e Shën Françeskut e veshi më 28 gusht 1886; kushtet
e përkohshme i bëri më 12 prill 1888, ndërsa Meshën e parë e çoi më 7 korrik 1894,
për të filluar më 1895 shërbimin si famullitar në Pejë. Më 1897 e gjejmë në Zllakuqan,
ku ndërtoi kishën; më 1902 ndërtoi kishën dhe selinë kishtare të Pejës. Pak kohë më
pas e gjejmë në Shkodër, si i pari guardian shqiptar i Kuvendit të Fretërve në Gjuhadol.
Këtu punoi shumë për të kryer punimet e kishës françeskane të Gjuhadolit. Në
veprën me vlera të mëdha të Atë Donat Kurtit "Provinça Françeskane Shqiptare"1 për
veprimtarinë e Atë Lorencit në ndërtimin e Kishës së Gjuhadolit, shkruhet: mes shumë
veprimtarive Atë Lorenc Mazreku “ më 1906 qe sekretari i Atë Pal Dodajt, provinçalit
të parë shqiptar të provinçës së Zojës Nunciatë. Si sekretar, hartoi nekrologun e
provinçës. Më 1909 u zgjodh Kustod i Provinçës dhe famullitar i Bajzës, ku themeloi
Urdhërin e Tretë të Shën Françeskut. Më 1920 shërbeu përsëri si famullitar i
Pejës në Kosovë ku, më 1942, themeloi Shoqninë Antoniane për edukimin e rinisë. Aty
e gjetën edhe gjermanët kur, gjatë Luftës II Botërore, hynë në Pejë. Me ndërmjetësim
të tij, në këtë periudhë shpëtuan nga djegia dy kisha ortodokse: ajo e patriarkanës
së Pejës dhe e Deçanit e, ajo që ka më tepër rëndësi, u shmang rreziku real i luftës
ndërmjet myslimanëve e ortodoksëve; ndërmjet shqiptarëve e malazezëve dhe serbëve.
Edhe shenjtnorja e Shëna Ndout në Gjakovë u ndërtua nën kujdesin e tij”. Atë
Lorenc Mazreku u dallua për zell e përkushtim fetar e kombëtar, për pasurimin e Kishave
me shtatore të reja shenjtorësh e orendi të tjera. Kudo që shërbeu, u mësoi fëmijëve
të shkruanin e të lexonin gjuhën shqipe. Si pasojë e një veprimtarie të tillë, fitoi
dashurinë e respektin e popullit, të cilit i shërbente, e njëkohësisht urrejtjen e
armiqve të Kishës e të Kombit. Në jetëshkrimin e tij të shkurtër, botuar tek "Martirizimi
i Kishës Katolike Shqiptare – 1944-1990", shkruhet se u vra nga serbët në Pejë më
15 shkurt 1943, pasi u demaskua. Në të vërtetë, sipas dokumenteve të Urdhërit të Fretërve
të Vegjël, Atë Lorenci u vra në rrugën ndërmjet Gjakovës e Pejës. (Nga Atë Donat Kurti,
"Provinça Françeskane Shqiptare", Botime françeskane Shkodër 2003, fq. 31).