2009-02-14 20:18:29

Mesha e parë solemne për nder të Galileut para shkencëtarëve të ardhur nga bota mbarë


(15.2.2009 RV)Presidenti i Këshillit Papnor për Kulturën, kryeipeshkvi imzot Ravazi, udhëhoqi sot në ora 12.00 Meshën e parë solemne për nder të Galileut në praninë e shumë shkencëtarëve të ardhur nga mbarë bota.
Një Meshë "historike" e një asamble e pazakonshme e përbërë prej njerëzve të shkencës, anëtarë të "Federatës Botërore të Shkencës" (Wfs) të radhitur para elterit të Bazilikës romake mikelanxheleske të Shën Marisë së Engjëjve e të Martirëve, për të kremtuar 445 vjetorin e lindjes së Galileo Galileut.
Në Meshën e parë solemne kremtuar në katër shekuj për nder të Galileut, mori pjesë bashkësia shkencore ndërkombëtare ( dhjetëmijë shkencëtarë të 115 kombeve të ndryshme të botës) shprehi homazhet e saj atit të shkencës moderne. Për t'u theksuar në ceremoninë fetare liturgjike edhe prania e shkencëtarëve kinezë, anëtarë të Federatës Botërore të Shkencës, të cilët dhuruan një shtatore prej bronzi vepër e një artisti të njohur kinez. Në Meshë për nder të Galileut mori pjesë edhe eksploruesi (zbuluesi) i Polit Verior e akademiku rus, Artur Kilingarov.

E po në Bazilikën e Shën Marisë së Engjëjve e të Martirëve në Romë është hapur një Ekspozitë e cila i kushtohet krejtësisht arritjeve të madhe galilejane. E organizuar nga Federata Botërore e Shkencës (Wfs) për Vitin ndërkombëtar të Astronomisë dhe e frymëzuar nga libri i prof. Antonio Zikikit "Galileu Njeri Hyjnor" , ekspozita paraqet veprat e gjashtë artistëve bashkëkohor të Agostino Bonalumi, Xhuzepe Gallo, Piero Guçone, Françesko Leone, Igor Mitoraj e Kroqe Tavarella, të cilët me veprat e tyre ilustrojnë mendimin e Galileut e shpikjet e zbulimet e tija themelore. Sugjestionues është edhe ndërtimi i dy instrumenteve të shpikura nga Galileu – lavjerrësi e rrafshi i pjerrët – që, lexohet në një komunikatë të Federatës Botërore të Shkencës, "kanë mundësuar të arrijmë sot, në një distancë prej 400 vjetësh, të matim kohën me një saktësi të jashtëzakonshme prej një sekonde çdo jetë të Gjithësisë (Rruzullit): njëzetë miliardë vjet". "Dëshmi kulturore e lidhjes ndërmjet Arsyes, Fesë e Shkencës – lexohet akoma – Ekspozita do të jetë në 115 Vende të Federatës Botërore të Shkencës, ndër to edhe Kina e Rusia.







All the contents on this site are copyrighted ©.