2009-02-13 16:31:20

“Shkenca është mike me fenë”: kështu Konferenca Ipeshkvnore angleze për 200-vjetorin e lindjes së Darvinit.


(13.02.2009 RV)“Shkenca është mike, e jo armike e fesë. Teoria e evolucionit na shpjegon “si”, por jo “përse” jemi në botë”: kështu titullohet reflektimi i kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore të Anglisë dhe Uellsit, kardinal Kormak Marfi-O’Konor. Reflektimi është botuar në të përditshmen “The Times”, me rastin e 200-vjetorit të lindjes së shkencëtarit të madh evolucionist, Çarls Darvin.
“Teoria e evolucionit e Darvinit, një nga zbulimet më të mëdha të të gjitha kohërave, – shkruan prelati – na bën të kuptojmë si lidhet në një zinxhir jeta dhe shpjegon vendin unik, që zë njeriu në këtë proces”. Edhe vetë Darvini, pavarësisht se e kishte braktisur fenë për arësye personale, në fund të jetës së tij shkruante: “Më duket absurde të dyshoj për faktin se një njeri mund të besojë njëkohësisht me zjarr në Zotin dhe në evolucionin”. Për këtë arësye, vazhdon kardinali, nuk ka pse feja t’i kundërvihet shkencës.
Kardinali reflekton më pas mbi shumë teori, që gjatë viteve janë munduar të krijojnë probleme në marrëdhëniet e shkencës me fenë. “Është gabim – sqaron ai – ta konsiderojmë teologjinë e krijimit, që përmbahet në Librin e Zanafillës, si tekst shkencor. Libri i Zanafillës flet për marrëdhëniet e Zotit me kreatyrët e në veçanti, për rolin e njerëzimit në këtë raport”. Prandaj tregimi mbi krijimin nuk na thotë në të vërtetë se “si” jemi krijuar, por se “pse” jemi krijuar. Këto interpretime të gabuara nuk kanë të bëjnë vetëm me fenë, por edhe me vetë Darvinin. Shpesh, thekson kardinali Marfi-O’Konor, teoria, sipas të cilës mbijeton më i forti, është përdorur për të ligjëruar politika diskriminuese ndaj të vobektëve. E pastaj, duke parë përvojën e nazizmit, kushdo është kundër përdorimit të teorisë së Darvinit për qëllime eugjenetike, të përmirësimit të racës.
Në momentin që kapërcehen këto interpretime të gabuara, shkruan prelati i lartë, shkenca dhe feja bëhen bashkëpunëtore. “Ekzistojnë çështje, që çojnë përtej njohjes së thjeshtë e na udhëheqin drejt nevojës për dhuratën e dijes. Pa të, mohohet struktura më e thellë morale e së vërtetës”. Ky mund të jetë hapi i ardhshëm i evolucionit, zbulimi se Zoti është fati i jetës; se Krishti nuk është vetëm Alfa, por edhe Omega, Ai në të cilin plotësohemi. Prandaj, lexohet në rreshtat e fundit të artikullit: “shkenca dhe feja nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën, por janë “shoqe udhe” të një misteri që zbulohet, të një të vërtete të pranishme kudo”.







All the contents on this site are copyrighted ©.