Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së VI gjatë vitit kishtar “B”
(14.2.2009 RV)Dëgjues të nderuar,
ja përsëri në takimin tonë javor të shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj
here të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 6-të gjatë vitit kishtar, ciklit
të dytë, sipas kalendarit liturgjik të kishës. Tema qendrore e leximeve biblike
të kësaj së diele është shpëtimi, do të thotë mundësia e realizimit të plotë njerëzimit
e të çdo individi njerëzor. Është kjo një temë thelbësore e cila duhet trajtuar në
të gjitha aspektet e saj. Marku ungjilltar vazhdon me tregimin e tij duke na paraqitur
një tjetër mrekulli të Jezusit: ‘pastrimin’ e një të gërbuluri. Bëhet fjalë për një
episod (ngjarje) domethënëse sidomos për mesazhin e vet të lirimit. Shërimi i një
të gërbuluri mund ( e duhet të shikohet) në vlerën simbolike: është njerëzimi mbarë
qi që kërkon shërimin. Po kështu, nuk duhet harruar as problemin e gërbulës në kuptimin
e ngusht të fjalës sepse, megjithëse prej kohe nuk është në faqe të para të mediave,
gërbula ende sot mbetet një ndër aspektet më dramatike të njerëzimit tonë bashkëkohor.
Po t’i kthehemi leximeve biblike të kësaj së diele, sikur do të dëgjojmë, edhe kësaj
here, në pjesën e Ungjillit të së dielës marrë nga Shën Marku Ungjilltar, nënvizohet
përsëri dhembshuria e përdëllimi i Jezu Krishtit ndaj vuajtjeve të njeriut dhe vullneti
i tij për ta liruar, madje për të shpëtuar njeriun prej çdo të keqe. Pjesa ungjillore
e kësaj së diele flet për njeriun e vdekur nga pikëpamja civile e shoqërore, për shkak
të sëmundjes nga gërbula, e këndej si i tillë ishte i dëbuar prej njerëzve dhe i detyruar
të rrinte në vetmi, larg çdo kontakti. Kështu pra, i sëmuri nga gërbula ishte i mënjanuar
nga rrethi shoqëror, për arsye se në periudhën e Jezusit, gërbula më shumë se çdo
sëmundje tjetër, konsiderohej simbol mëkati e faji para Zotit. Jezusi duke
e lejuar të gërbulurin t’i afrohej, e duke lejuar të preket prej atij që i kërkon:
“Më shëro”, — të gjithë mëkatarëve u dëfton se Zoti i pret gjithmonë bijtë e vet të
braktisur, të humbur, të sëmurë, të prekur e të pushtuar nga e keqja, i pret plot
përdëllim. Ungjilli na tregon se Jezusi dëshmon dashuri për të sëmurët, për të papastërtët,
për të refuzuarit e të mënjanuarit e shoqërisë dhe pohon se Jezusi ka ardhur për shpëtimin
e të gjithë atyre që mbështetën në dashurinë e në fuqinë e Tij Hyjnore, për të gjithë
ata njerëz që kanë besim, që kanë fe në Hyjin Atë dhe Atij i drejtohen me lutje e
zemër të sinqertë. Duke iu afruar të sëmurit nga gërbula, Jezusi i shkel kanunet
fetare e sociale të epokës së vet, por për Jezu Krishtin, para së gjithash është njeriu,
mbi të gjitha vjen e vlen njeriu dhe prandaj ndërhyn për shpëtimin e tij. Pra Jezusi
kategorikisht e refuzon përdorimin e religjionit (të fesë) për të përjashtuar e për
t’i ndarë e përçarë njerëzit. Kurrfarë sëmundjeje, asnjë vuajtje, kurrfarë fatkeqësie
nuk duhet të bëhet pretekst për të braktisur ndokënd: dhimbja e të afërmit tonë është
rast për ta dashur edhe më shumë, hapësirë për të treguar bamirësi e përkujdesje ndaj
secilit që ka nevojë për ndihmën tonë. Prapa dhimbjes, gjithmonë fshihet një shpirt
njeriu. Është një i gërbulur, o Jezus, prandaj nuk duhet ta prekësh: për shkak
të sëmundjes së vet e kanë hedhur jashtë fshatit e tani i vetmuar endet vërdallë
nëpër vende të pabanuara e të vetmuara. Është i gërbulur, o Jezus, nuk duhet ta
prekësh: frika e infektimit e ka detyruar të lë shtëpi e familje, punë e miq. Është
i gërbulur, Jezus, nuk duhet ta prekësh: pse nuk je i matur, pse nuk je i kujdesshëm? E
di fare mirë se kjo është sëmundje e tmerrshme që shkatërron gjymtyrët e, që
shpërfytyron trupin….
E megjithëkëtë, Jezus, ti do ta shërosh këtë njeri
që ka rënë në gjunjë para teje, ti nuk do ta lirosh nga padrejtësia e nga përbuzja pa
e afruar pranë vetes, pa e prekur. Edhe pse është punë e rrezikshme…. edhe pse
është infektues….. po Ti, o Jezus, pikërisht për këtë je bërë njeri, për
të na dëftuar se Zotin e kemi afër: afër njeriu që vuan, afër njeriut që është
rob i së keqes, afër njeriut që ndjehet i lodhur dhe i vetmuar. Në kontakt
me sëmundjen, në kontakt me të këqijat më të tmerrshme e sekrete, me realitetin
shumëformësh të mëkatit, ti o Jezus, ofron çlirimin e pashpresuar, duke rrezikuar
jo vetëm të infektohesh, por, deri edhe jetën tënde. E kjo zgjedhje, ky përcaktim
dashurie do të të çojë në kryq. Kryqi yt, o Jezus, është dru shëlbimi për çdo
njeri. Me teper degjoni ketu leximet biblike te kesaj se diele e komentin...