2009-02-12 16:31:59

Papa kujton kardinalin Stepinac, martir të komunizmit


(12.02.2009 RV)“Pas rënies së komunizmit Kisha përballon sfida të reja, por urdhëri i Krishtit mbetet po ai: Shkoni në të gjithë botën dhe predikoni Ungjillin për çdo krijesë”. Kështu i shkruan Benedikti XVI kardinalit Josip Bozaniç, kryeipeshkëv i Zagrebit dhe nënkryetar i Këshillit të Konferencave Ipeshkvnore të Evropës. Rasti është Takimi III i kardinajve dhe i kryetarëve të Konferencave ipeshkvnore të vendeve të Evropës Juglindore me temë “Misioni i Kishës në Evropën Qendro-Lindore njëzet vjet pas rënies së sistemit komunist (1989-2009)”. Prelatët u mblodhën në kryeqytetin e Kroacisë edhe për të kujtuar 10-vjetorin e lumnimit të kardinalit Alojzije Stepìnac, martir i regjimit komunist, në ditën e festës së tij liturgjike, më 10 shkurt. Në letër, Papa e kujton kardinalin martir dhe i inkurajon ipeshkvijtë e Evropës Lindore ta shikojnë me shpresë misionin e Kishës në Evropë e në botë, duke u frymëzuar nga shembuj si ai i të Lumit Stepinac.
Në konferencë, kardinali Bozaniç nënvizoi se komunizmi ka lënë plagë të thella në jetën e njerëzve dhe të shoqërive, nga ku vjen kërkesa për ndihmë drejtuar Zotit dhe Kishës. Pavarësisht nga rënia e komunizmit, struktura e tij, vë në dukje kryeipeshkvi i Zagrebit, është e pranishme në legjislacion e në pushtetin gjyqësor, në ekonomi e në kulturë, e sidomos në velin e heshtjes, që është hedhur mbi ngjarjet e së kaluarës së afërt. “Si mund ta shpjegojmë ndryshe – tha prelati – se njëzet vjet pas këtyre ngjarjeve, e vërteta nuk arrin të lëshojë rrënjë në tokat që mburren për lirinë e dashurinë për të vërtetën?” Për shembull, në Kroaci nuk flitet për kardinalin Stepìnac. Thjesht, shmanget argumenti. Është e vërtetë se sistemi komunist u shkatërrua, shpjegoi Bozaniç, por copat që mbeten janë mjaft rezistente dhe shfaqen përmes promovimit të fallsiteteve të të së kaluarës, jo vetëm në politikë e në vetë marrëdhëniet me të kaluarën, por edhe në edukim, shkencë e arësim”. Është momenti i ungjillëzimit të ri për të rizbuluar rrënjët e krishtera e për t’iu përgjigjur një vizioni, që e redukton rolin e njeriut, për t’iu përgjigjur asaj që kardinali Bozaniç e quajti “diktatura e relativizmit”. Në konferencë, prelatët diskutuan pikërisht për këtë sfidë dhe për të tjera si globalizimi, bioetika, neuroshkencat, emigracioni, arritja në një rend të ri botëror, mbrojtja e lirisë së ndërgjegjes, kujdesi për jetën e familjen.







All the contents on this site are copyrighted ©.