2009-02-12 16:50:17

78-vjetori i themelimit të Radio Vatikanit, sot i orientuar edhe drejt ‘kufijve’ të ri të botës digjitale.


(12.02.2009 RV) Si sot më 12 shkurt 1931 përurohej Radio Vatikanit nga Papa Piut XI me radiomesazhin e tij drejtuar botës në praninë e Gulielmo Markonit, shpikësit të radios, e Atë Gjuzepe Gjanfrançeskit S.J., drejtorit të parë të emitentes.
Kanë kaluar 78 vjet që nga ajo ditë, po Radio Vatikani vijon ta çojë në të katër anët e Planetit zërin e Papës e të Kishës, duke kaluar kufijtë, duke kapërcyer pa frikë pengesat politike, ideologjike, shoqërore e kulturore e duke rrokur mbarë kontinentet me mesazhin e vet të paqes e të vëllazërisë. Në Lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës, më 12 shkurt 2006, Papa Benedikti XVI që do ta vizitonte Radion pak ditë më pas, më 3 mars 2006, mes tjerash nënvizoi:
“... me mjetin e radios e pastaj të televizionit, mesazhi i Ungjillit dhe fjalët e papëve kanë mundur të arrijnë më shpejt e më lehtë ndër të gjithë popujt”.
Po kujtojmë se Benedikti XVI është papa i gjashtë që vizitoi Radio Vatikanin pas Piut XI; Piut XII, papës së dramave të Luftës II Botërore; Gjonit XXIII, papës të Enciklikës ‘Pacem in Terris’ në një botë ku sundonte lufta e ftohtë; Palit VI, që përmbylli punimet e Koncilit II të Vatikanit, përuruar nga paraardhësi i tij Gjoni XXII dhe më vonë Gjon Palit II. E sot Radio Vatikani, përveç transmetimit me valët tradicionale ajrore, ka arritur të flasë lirisht gjuhën më të njohura e më të përparuara të multimedialitetit e të ueb-it. Me një objektiv, që ka mbetur i pandryshueshëm për 78-vjet: të çojë në botë zërin e Papës e të Kishës, të gjejë, pa u lodhur kurrë, mënyra e hapësira të reja, për të përhapur, ndërmjet lajmeve, Lajmin e Mirë të Zotit. Është një bashkësi profesionale me 384 punonjës nga 59 kombe, me 54 gjuhë, që transmeton 23 mijë orë vjetore. Ndër gjuhët e ndryshme të botës, Radio Vatikanit flet edhe gjuhën shqipe që nga 3 tetori i vitit 1951.







All the contents on this site are copyrighted ©.