Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme: feja, shpresa e dashuria janë virtyte për
çdo të krishterë. Papa u lut për të sëmurët.
(11.02.2009 RV)Audienca e përgjithshme
e paradites së sotme, siç lajmëroi Papa që të mërkurën e kaluar, shënoi rifillimin
e ciklit të katekizmit mbi Etërit e Kishës. Mijëra besimtarëve të mbledhur në Sallën
Pali VI, Benedikti XVI u paraqiti figurën e Gjon Klimakut, një murg eremit, që ka
jetuar ndërmjet shekullit të gjashtë e të shtatë, autor i një traktati të famshëm
mbi jetën shpirtërore. Papa e përfundoi audiencën në lutje për të sëmurët, të cilët
sot kanë Ditën e tyre Botërore, pikërisht kur kremtohet festa e Zojës Lurdë. Një
“strateg” i shpirtit, që jetoi në të njëjtat vende ku Moisiu takoi Zotin. Gjon Klimaku
u përshkrua nga Benedikti XVI si “shkrimtar i madh i Kishës së Lindjes e të Perëndimit”
në epokën mesjetare. Lindi në një moment dramatik të historisë, në kohën e dyndjes
së barbarëve, e cila megjithëse shkatërroi strukturat civile të Perandorisë Bizantine,
vuri në dukje qëndrueshmërinë e Kishës, falë rrjetit të kuvendeve. Në njërin prej
tyre, në moshën 16 vjeçare, Gjon Klimaku ishte tashmë murgu që do të mbetej për tërë
jetën, e që do të bëhej eremiti i tërhequr në malet e Sinait për 40 vjet me radhë.
Gjithsesi, jeta e tij nuk ishte largim nga bota për të mos u kujdesur për të, por
dashuri e zjarrtë për të tjerët, sqaroi Papa Racinger. Fama e Shën Gjon Klimakut lidhet
me shkrimin e tij më të njohur, “Shkalla e Parajsës”: “Shkalla është traktat
i plotë i jetës shpirtërore, në të cilën Gjoni përshkruan rrugën e murgut, që nga
braktisja e botës deri në përsosjen e dashurisë. Është një rrugë që – sipas këtij
libri – zhvillohet përmes tridhjetë shkallëve, secila e lidhur me të mëpasmen”. Këto
shkallë, të marra sëbashku, pohoi Benedikti XVI, janë pa dyshim traktati më i rëndësishëm
i strategjisë shpirtërore që kemi. Të tridhjetë shkallët, sqaroi më pas Papa, mund
të përmblidhen në tri fraza. E para ka të bëjë me braktisjen e gjërave të kësaj bote
për t’u kthyer në gjendjen e fëmijës, siç thuhet në Ungjill. Largimi nga personat
e nga gjërat e botës sjell një bashkim të brendshëm më të madh me Hyjin: “Faza
e dytë e rrugës përbëhet nga lufta shpirtërore me pasionet… Por, sipas Gjon Klimakut
është e rëndësishme të jemi të vetëdijshëm se pasionet nuk janë të këqia në vetvete;
bëhen për shkak të përdorimit të keq të njeriut. Nëse pastrohen, pasionet i hapin
njeriut rrugën drejt Zotit me energji që vijnë sëbashku nga ushtrimi i asketizmit
dhe nga hiri hyjnor”. Faza e tretë dhe e fundit është “perfeksionimi i
krishterë”. Kemi të bëjmë, tha Papa, me nivelet më të larta të jetës shpirtërore,
që i provojnë veç të vetmuarit, të ashtuquajturit “esikastë”, pasi janë në gjendje
të arrijnë “paqen shpirtërore”. Ajo, vazhdoi Ati i Shenjtë, përgatit për “lutjen korpore”
e më tej, për “lutjen e zemrës”. Shkalla e fundit mbështetet mbi trininë e virtyteve:
fenë, shpresën e dashurinë apo bamirësinë. Virtyte, që Benedikti XVI, në një reflektim
të gjatë e spontan, i komentoi kështu: “Nuk janë virtyte vetëm për heronjtë
moralë, por janë dhuratë e Zotit për gjithë të pagëzuarit: në to rrjedh edhe jeta
jonë… Themelore është feja, sepse ky virtyt do të thotë që unë të heq dorë nga arroganca,
nga mendimi personal… Shpresa, me anë të së cilës lidhim me Hyjin gjërat e përditshme,
nuk presim suksese për ditët tona tokësore, por presim së fundi ardhjen e vetë Zotit.
Tek bamirësia fshihet misteri i lutjes, i njohjes personale të Jezusit. Ta përdorim
pra këtë “shkallë” të fesë, të shpresës e të bamirësisë; do të arrijmë kështu tek
jeta e vërtetë”. Pasi u uroi ipeshkvijve miq të Lëvizjes së Fokolarëve
e të Bashkësisë së Shën Egjidit të mbledhin fryte të bollshme nga takimet ku po marrin
pjesë këto ditë, Papa shprehu solidaritetin e tij për të sëmurët, në ditën që u kushtohet
atyre, në festën e Zojës Lurdë: “Ktheftë mbi të gjithë ju, të dashur vëllezër
e motra të sëmura, vështrimin e saj plot ngushëllim e shpresë, e ju ndihmoftë në mbajtjen
e kryqit të përditshëm në bashkim të ngushtë me kryqin shëlbues të Krishtit”.