2009-02-10 17:37:14

Izraeli iu drejtohet kutive të votimit për zgjedhjet parlamentare. Sipas sondazheve të fundit e djathta është në rritje.


(10.02.2009 RV)Qendrat e votimeve në Izrael u hapën për pesë milionë e 200 mijë zgjedhës të cilët do të votojnë për deputetët e rinj. Pjesëmarrja është në rritje pavarësisht kohës së keqe që ka përfshirë Jeruzalemin dhe zona të tjera të vendit. Sipas sondazheve deri tani është në avantazh partia Likud, parti konservatore kjo e Beniamin Netanijahut. Pas saj vjen Kadima, partia e moderuar e Cipi Livnit. Por po ngjall shqetësim rritja e së djathtës ekstreme Jizrael Beiteinu, me kryetar Avigdor Liberman. Sikur këto parashikime të vërtetoheshin pas zgjedhjeve, cilat do të ishin perspektivat që do të hapeshin për Izraelin? Në mikrofonin tonë flet Kamil Eid, specialist i çështjeve të Lindjes së Mesme pranë gazetës “Avvenire”:

Përgjigje: Që tani dihet se asnjë parti izraelite nuk do të ketë shumicën absolute të votave, e kështu që do t’i duhet të kërkojë mbështetjen e partive fetare apo nacionaliste. Sipas sondazheve, deri tani, në krye është partia e Likudit, drejtuar nga Beniamin Netanijahu, por kjo do të ketë nevojë për mbështetjen e Shas-it, partisë fetare të hebrejve sefarditë, dhe mbi të gjitha të partisë Jizrael Beiteinu të ekstremistit Avigdor Liberman. E kështu që perspektivat, mbi të gjitha ato që kanë të bëjnë me paqen, ose bisedimet me arabët dhe palestinezët në veçanti, nuk do të jenë të ndritëshme. Vështirësitë e para do të jenë tek formimi i një qeverie të djathtë apo i një qeverie të së djathtës ekstreme.

Pyetje: Sipas jush cilët faktorë do të ndikojnë në zgjedhjen përfundimtare të izraelitëve?

Përgjigje: Ka disa faktorë. Nëse pati ndikim operacioni në Gazë, atëherë ka pasur ndikim edhe mendimi i disa udhëheqësve. Një votues izraelit shikon edhe politikën ekonomike të qeverisë dhe përzgjedhja e tij ka të bëjë me një mori faktorësh të ndryshëm. Cipi Livni për shembull bën disa premtime që lidhen me të ardhmen e shtetit izraelit dhe me bisedimet me presidentin palestinez Abu Mazen. Kurse disa të tjerë, përkundrazi do të marrin votat sepse kanë premtuar se do t’i ruajnë kolonitë e hebrejve në territoret e pushtuara. Nëse shumica e izraelitëve do të votojë për të djathtën do të thotë se kanë ide shumë të qarta për të ardhmen e vendit.

Pyetje: Analistët parashikojnë një rritje të fortë të së djathtës ekstreme të Libermanit. Kjo gjë do të paraqiste ndonjë rrezik për procesin e paqes në Lindje të Mesme?

Përgjigje: Sipas meje, po, sepse këto partitë e vogla do të tregojnë se nga peshon kandari dhe do të ndikojnë në politikën e qeverisë së ardhshme, veçanërisht partia e Libermanit.

Pyetje: Ndër të tjerë, në votime marrin pjesë edhe një milion arabë izraelianë. Nga cili krah do të anojnë dhe cilat janë dëshirat e tyre?

Përgjigje: Arabët, fatkeqësisht nuk do të jenë një trup i vetëm në votime. Janë të shkapërndarë nëpër lista të ndryshme, dhe disa deputetë arabë të parlamentit aktual bëjnë pjesë madje edhe në partitë e hebrejve. Dikush me Kadima-n, dikush me partinë laburiste, kështu që vota e tyre - edhe pse këta përfaqësojnë 19,20 përqind të elektoratit izraelit, - nuk do të ndikojë ndjeshëm si do të kishte ndikuar po të kishin qenë të bashkuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.