2009-02-10 12:31:41

Atë Lombardi: t'i shërbejmë jetës në emër të Eluanës.


(10.02.2009 RV)Lajmi për vdekjen e Eluana Englaros, italianes që ndodhej në koma vegjetative që prej 17 vjetësh, ndërsa që prej një jave i kishin ndërprerë ushqimin dhe hidratimin, erdhi në mes të një diskutimi të dhimbshëm parlamentar italian mbi ligjin, që duhej ta kishte “shpëtuar” nga protokolli shendetesor dhe nga vullneti i të atit. Një infarkt ndali zemrën dhe e çoi te Ati Qiellor, duke mos u lënë kohë politikanëve të miratojnë ligjin e qeverisë Berluskoni, i cili këto ditë e ka ndarë Italinë më dysh duke hapur një konflikt institucional pa precedent.
Që sot jemi vetëm! Jo sepse Eluana kaloi në jetë të pasosur, por sepse e ndjejmë veten të paaftë ta përcaktojmë jetën në të gjitha fazat e saj, si individë dhe si anëtarë të një shoqërie, që e quan veten civile edhe kur thërret e bërtet për të drejtën të mos besojë në Zot, ose në Kishën Katolike.
Eluana Englaro vdiq mbrëmë në orën 19.35 në klinikën “Qetësia”, ku ndodhej që prej një jave. Të dëgjojmë notën e drejtorit tonë të përgjithshëm, atë Federiko Lombardit:
“Para vdekjes, besimtari mblidhet në lutje dhe ia beson Zotit shpirtin e Eluanës, një person që e kemi dashur e që në muajt e fundit u bë pjesë e jetës sonë. Tani që Eluana është në paqe, urojmë që rrokullisja e ngjarjeve, pas kaq diskutimesh, të jetë për të gjithë motiv reflektimi pa zhurmë e kërkimi me përgjegjësi të rrugëve më të mira për të shoqëruar personat e sëmurë, duke respektuar të drejtën për jetë, për dashuri e për kura të kujdesshme. Për presonat, që – siç kujtoi Papa në Engjëllin e Tënzot të së dielës – nuk mund të kujdesen për vetveten në asnjë mënyrë, por janë krejtësisht të varur nga kujdesi i tjetërkujt. Vdekja e Eluanës nuk mund të mos na lerë një hije trishtimi për rrethanat në të cilat ndodhi, por vdekja fizike nuk është kurrë fjala e fundit për të krishterin. Edhe në emër të Eluanës, do të vazhdojmë të kërkojmë rrugë më efikase për t’i shërbyer jetës”.
Para këtij rasti, Kisha Katolike i është referuar vazhdimisht parimit të mbrojtjes së jetës, që nga zënia deri në vdekjen e saj natyrore, pavarësisht se jo të gjithë ishin dakord me të. Të dëgjojmë kryetarin e Akademisë Papnore për Jetën, kryeipeshkvin Rino Fizikela:
Mendoj se Kisha ka bërë atë që është konform natyrës dhe misionit të saj. Ne sjellim jetën, jemi dëshmitarë se vdekja mundet, sepse ne besojmë se Jezusi është ringjallur. Të na kërkosh diçka të ndryshme nga kjo, do të thotë të kërkosh atë që nuk jemi. Por është e pashmangshme, që në një shoqëri kaq të ndërlikuar e kaq të diferencuar, të ekzistojnë gjithnjë zëra që stonojnë. Unë i marr ashtu siç janë, zëra që stonojnë, as më shumë, as më pak. Si mund të mendohet se edhe para situatave si ajo që kemi përjetuar këto ditë, të mos mbështetet edhe më tepër mëshira e krishterë? Ajo mëshirë që nuk çon drejt vdekjes, por që bën të fitojë dashuria. Nuk mund ta harrojmë dëshminë e heshtur, jashtë zhurmës, në heshtjen e vërtetë të atij që do, që kujdeset, të murgeshave të klinikës, ku Eluana është kuruar e dashur për aq vjet. Pse duhet të mendojmë se kjo nuk është dëshmi e Kishës? E në një shoqëri demokratike, në një shoqëri që dëshiron të jetë laike gjithnjë e më shumë, pse tua mbyllim gojën katolikëve? Unë jam fortësisht i bindur se nëse u mbyllet goja katolikëve, nuk do të kishim më ideal, aftësi për të shpresuar. Ne jemi në gjendje të japim dëshminë tonë të shpresës e dashurisë, por pa bërtitur, sepse nuk është e thënë se ai që bërtet më shumë ka të drejtë.
Gjatë këtyre muajve, kur në Itali diskutohej rasti i Eluanës, ndërgjegjja e secilit u trondit e shumë persona ndryshuan mendimin për çështje si fundi i jetës, testamenti biologjik, kurimi përtej kufijve, për vetë konceptin e ekzistencës. Ky është trashëgimi që na lenë Eluana dhe familja e saj. Ngjarjet që i rrethuan na detyruan të gjithëve t’i bëjmë vetes pyetjen “e sikur të më ndodhë mua?...” Edhe raporti ynë me fenë nuk është më po ai. Feja u vu në provë dhe, pas reflektimit, u ripërtëri. Mëkat për këto grindjet e fundit në parlament, për koret e parrullat, për fjalët e rënda kundër Kushtetutës e lirisë. Buzëqeshja e vajzës italiane e jeta e saj meritonin një përshëndetje tjetër, fjalë më të mira e sidomos heshtje më të ndjerë.







All the contents on this site are copyrighted ©.