2009-02-09 17:58:36

Viti kushtuar Darvinit dhe qëndrimi i krishterë ndaj teorive evolucioniste


(09.02.2009 RV)Fillon Viti kushtuar Darvinit, gjatë të cilit do të kremtohet një përvjetor i dyfishtë: lindja më 12 shkurt 1809 dhe botimi i veprës së tij më të famshme “Mbi origjinën e llojeve me anë të përzgjedhjes natyrore” në vitin 1859.
Pa dyshim, teoria e evolucionit e Çarls Darvinit e ka ndryshuar përfundimisht pikëpamjen tonë mbi botën dhe mbi vendin që zë njeriu në natyrë, i cili është vetëm një hallkë e zinxhirit të gjatë të jetës.
Teoria e Darvinit është përdorur shpesh për të mohuar ekzistencën e Zotit, sidomos nga shkencëtarët materialistë. Studimet e fundit mbi jetën e Darvinit - në veçanti biografia e shkruar nga pasardhësi i tij Randal Kejnes, i cili ka përdorur një sërë dokumentesh private - vënë në dukje procesin, që e çoi shkencëtarin e madh të braktisë Zotin. Vendimtare qe humbja e së bijës, Enit, e cila vdiq para kohe. “Nuk arrij të shoh me të njëjtën qartësi si të tjerët – i shkruante Darvini një miku – provën e një plani dhe të një mirësie hyjnore përreth nesh. Për sytë e mi ka tepër vuajtje në botë”. E në fakt, vetëm pas vdekjes të së bijës, Darvini e la pas fenë e krishterë njëherë e përgjithmonë.
Kjo përmasë personale e refuzimit të fesë nga ana e shkencëtarit, gjithsesi nuk e largon teorinë evolucioniste nga besimi në Zotin, siç e ka shpjeguar më së miri shkencëtari jezuit, Pierr Tejard dë Shardë. Pavarësisht se si realizohet evolucioni i llojeve, në të është dora e Hyjit.
Por, problemi kryesor i ditëve të sotme nuk është përputhja e teorisë darviniane me planin hyjnor për botën. Puna kërkimore-shkencore vë gjithnjë e më tepër në dukje varësinë e sjelljeve shoqërore e kulturore të njeriut nga biologjia. Vihet kështu në dyshim ideja se aftësia e njeriut për të prodhuar kulturë, gjuhë, moral përbën veçantinë e tij në botë, se e bën të zgjedhurin e Hyjit në krahasim me qeniet e tjera. Sulmohet kështu, pikërisht ajo “diçka e veçantë”, që i jep kuptim shpirtëror secilës prej jetëve njerëzore, të marra një e nga një. Viti kushtuar Darvinit është pra mundësi për bashkësinë e krishterë, që të ripohojë vendin e njeriut në planin e Hyjit dhe rolin e tij në botë.
E bota e krishterë ka filluar të lëvizë për këtë. Të martën, më 10 shkurt, në orën 11.30 në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë do të paraqitet programi i Konferencës Ndërkombëtare me temë “Evolucioni biologjik: fakte e teori. Një vlerësim kritik 150 vjet pas “Origjinës së llojeve””. Konferenca, që do të mbahet nga 3 deri më 7 mars, organizohet nga Universiteti Papnor Gregorian në bashkëpunim me Universitetin amerikan “Notre Dame”, nën patronazhin e Këshillit Papnor për Kulturën. Kjo konferencë është pjesë e projektit të ashtuquajtur STOQ, që lidh shkencën, teologjinë dhe çështjet ontologjike. Do të marrin pjesë imzot Xhanfranko Ravazi, kryetar i Këshillit Papnor për Kulturën, prof. Mark Leklerk, jezuit, pedagog i Filozofisë së Natyrës në Universitetin Gregorian, don Xhuzepe Tancela-Niti, profesor i Teologjisë Themelore në Universitetin papnor të Shën Kryqit dhe prof. Saverio Forestiero, pedagog i Zoologjisë në Universitetin Tor Vergata të Romës.







All the contents on this site are copyrighted ©.