2009-02-09 17:00:07

Papa në Engjëllin e Tënzot: lutem për të sëmurët, posaçërisht për ata që nuk mund të kujdesen për veten. Thirrja e Benediktit XVI për Madagaskarin, goditur nga dhuna e protestat.


Megjithëse është pjesë e përvojës njerëzore, me shumë vështirësi ne pajtohemi me sëmundjen sepse "thellësisht" jemi "krijuar për jetën". Kështu pohoi dje Papa Benedikti XVI gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, duke reflektuar mbi Ungjillin e liturgjisë të së dielës, që e paraqet Jezusin të impenjuar në misionin për shërimin e të sëmurëve. Papa Racinger e përfundoi Engjëllin e Tënzot duke iu lutur Zotit për të sëmurët – e në mënyrë të posaçme për ata "që nuk munden të kujdesen për vetveten" – si edhe kërkoi kthimin e rivendosjen e "bashkëjetesës civile" në Madagaskar, trazuar nga problemet politike e turbullirat shoqërore.
Krishti, përveç se është mjek i shpirtit, është edhe mjek i trupit: ky është mesazhi i pjesës së Ungjillit të kësaj së diele që kaloi. Një qytet i tërë, Kafarnaumi grumbullohet tek pragu i shtëpisë së Simon Pjetrit, ku Jezusi posa e ka shëruar të vjehrrën. "Eksperienca e  shërimit të të sëmurve zë një pjesë të mirë të misionit publik të Jezusit – vërejti Benedikti XVI gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot – e na fton edhe një herë të reflektojmë mbi kuptimin e mbi vlerën e sëmundjes në çdo situatë në të cilën njeriu mund të gjendet". E kjo shtoi Papa, pse:
"Megjithëse sëmundja bën pjesë në përvojën njerëzore, ne nuk arrijmë të mësohemi me të e ta pranojmë, jo vetëm pse nganjëherë bëhet vërtet e rëndë dhe e rrezikshme, por sepse thellësisht jemi krijuar për jetën, për jetën e plotë".
Me të drejtë, vijoi Papa, 'instinkti ynë i brendshëm' na bën të mendojmë se jeta plotësohet në Zotin, madje si Jetë e amshuar dhe e përsosur.  Këtë përgjigje, pohoi Ati i Shenjtë Racinger, " e gjejmë në Ungjill":
" Jezusi nuk lë asnjë dyshim: Hyji – fytyrën e të cilit Ai vetë na e ka dëftuar – është Hyji i jetës, që na liron nga çdo e keqe. Shenjat e kësaj fuqie të dashurisë janë shërimet (…) Them se këto shërime janë shenja, që na udhëheqin drejt mesazhit të Krishtit, na udhëheqin drejt Zotit e na bëjnë të kuptojmë se sëmundja e thellë dhe e vërtetë e njeriut është mungesa e Zotit, burimi i së vërtetës dhe i dashurisë. E vetëm pajtimi me Zotin mund të na dhurojë shërimin e vërtetë, jetën e vërtetë, sepse jeta pa dashuri e pa të vërtetën nuk do të ishte jetë e plotë(..) Prandaj, kuptohet  se pse predikimi i Jezusit e shërimet që Ai bën, janë përherë të lidhura: në të vërtetë formojnë një mesazh të vetëm shprese e shpëtimi".
Në vazhdim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, Benedikti XVI kujtoi Ditën Botërore të të sëmurit, që bie të mërkurën e ardhshme dhe takimin e tij me të sëmurët, që do të mbahet në Bazilikën e Shën Pjetrit më 11 shkurt, pasdite, në mbarim të Meshës së Shenjtë, të cilën do ta kryesojë kardinali Havier Barragan. E si në Mesazhin e tij për Ditën e të sëmurit, që u shpall të shtunën e kaluar, dje, Papa përsëri falënderoi dëshmitarët e "dashurisë e të bamirësisë vëllazërore", në mënyrë të veçantë bashkësitë e krishtera, që përkujdesen për shërbimin dhe shërimin e të sëmurëve:
"Është e vërtetë: sa të krishterë – meshtarë, rregulltarë e laikë – kanë ofruar e vazhdojnë t'ia ofrojnë në çdo pjesë të botës duart, sytë dhe zemrat e tyre Krishtit, mjekut të vërtetë të trupave e të shpirtrave të njerëzve! Të lutemi për të gjithë të sëmurët, në mënyrë të posaçme për ata që janë të sëmurë rëndë, që në asnjë mënyrë nuk mund të përkujdesen për veten, por janë krejtësisht të varur nga kujdesi i të tjerëve: uroj që çdonjëri prej të sëmurve të mund ta përjetojë, përmes kujdesit të atij që ka pranë vetes, fuqinë e dashurisë së Zotit e pasurinë e hirit të tij, që shpëton".
Pas Engjëllit të Tënzot, vijoi një lutje tjetër e Papës Benedikti XVI, i cili tha se bashkohet me ipeshkvijtë e Madagaskarit e me Ditën e tyre të lutjes për "pajtimin kombëtar e drejtësinë sociale në vend". E lutja e Papës u shndërrua në thirrje:
"Të shqetësuar fort për periudhën posaçërisht kritike, që po kalon vendi, ju ftoj të bashkoheni me katolikët malgashë për t'ia besuar Zotit të vdekurit, që kanë shkaktuar manifestimet e protestat në Madagaskar, e për të kërkuar prej Tij, me ndërmjetësimin e Nënës së Shenjtë, Virgjërës Mari, kthimin e pajtimit në shpirtra dhe rivendosjen e qetësisë shoqërore e bashkëjetesës civile".







All the contents on this site are copyrighted ©.