2009-02-07 14:02:30

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar.


(08.2.2009 RV)Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën V të kohës së zakonshme liturgjike gjatë vitit kishtar. Përkujtoi edhe Shën Jeronim Emilianin, themelues i Etërve Somaskë, pajtor i jetimëve dhe i të rinjve të pastrehë si dhe Shën Gjyzepinën Bakita.

Të hënën do të kremtohet Shën Apollonia, virgjër e martire. Na kujton se kumtimi i Lajmit të mirë e çliron njeriun nga e keqja, i shëron sëmundjet e korpit e të shpirtit. Prandaj – lum kush i afrohet Krishtit aq sa ta prekë, si gruaja e Ungjillit.

Mësuesi e dënon haptazi hipokrizinë e kundërshtarëve, të cilët nuk e pranojnë shoqërinë e të huajve, edhe pse janë bërë vëllezër në fe. Një kult, në të cilin Fjala e Zotit zëvendësohet nga tradita njerëzore, është pa kuptim, pa shpirt. Këtë na kujton, të martën, festa liturgjike e Shën Skolastikës, motër e Shën Benediktit dhe e Shenjtorëve Zotiku, Gjaçinti e Amanci, martirë.

Duke i dhënë fund dallimit ndërmjet ushqimeve të pastra e atyre që konsideroheshin si të papastra, Jezusi tregon se pastërtia e ndyrësia nuk duhen kërkuar në ushqimet, që hyjnë në gojë, por në ndjetet, që dalin nga zemra. E kjo, sepse pikërisht nga zemra e njeriut dalin ndjetet e mira e të këqija, qëllimet fisnike e të mbrapshta. Këtë na kujton liturgjia e së mërkurës, kur Kisha do të përkujtojë Zojën e Lurdës.

Të enjten, në festën e Shën Benediktit, të Shën Saturninit e të shokëve të tij, martirë të Abitenës, liturgjia na nxit të reflektojmë mbi dhuratën e shëlbimit. E shëlbimi, që harmonizon marrëdhëniet ndërmjet njerëzve, u përket të gjithëve. Të afërm e të largët janë të grishur të marrin pjesë në gostinë e Hyjit.

Zoti, që bën të dëgjojnë shurdhët e të flasin memecët, na fton t’ia hapim zemrën fjalës së tij e të besojmë në mrekullitë që bën, në mënyrë që të mund të shpallim me plot gojën se vetëm ai e ka bërë mirë gjithçka! Ky është meditimi i së premtes, ditëfeste e Shenjtoreve Maura e Foska dhe e Shën Jordanit të Saksonisë, meshtar domenikan.

Të shtunën Kisha do të përkujtojë Shën Qirillin, murg e Shën Metodin, ipeshkëv, Pajtorë të Evropës, ungjillëzues të popujve sllavë. Me shembullin e tyre na ftojnë të shkojmë e t’ia predikojmë Ungjillin të gjitha krijesave, që të gjithë të bashkohen me Zotin përmes sakramenteve, duke hyrë kështu plotësisht në rrugën e shëlbimit. Do të përkujtohet dhe një nga shenjtorët, që po bëhet gjithnjë më popullor: Shën Valentini, martir, pajtor i të dashuruarve.
 E diela e ardhshme është e gjashta e Kohës së zakonshme gjatë vitit kishtar.







All the contents on this site are copyrighted ©.