2009-02-07 14:05:18

Reflektim i Atë Federiko Lombardit. “Çmimi i unitetit’.


Pas tensioneve e reagimeve të shumta, që shkaktoi Dekreti i kohëve të fundit i Kongregatës për Ipeshkvijtë, me të cilin u hiqet shkishërimi katër ipeshkvijve të Vëllazërisë së Shën Piut X dhe në lidhje me deklaratat e imzot Uiljamson, të së njëjtës Vëllazëri, që mohojnë ose e reduktojnë Shoah, duke iu përgjigjur kancelares gjermane Angela Merkel, që i konsideronte të pamjaftueshme sqarimet e Vatikanit për heqjen e shkishërimit ipeshkvit lëfevrian Uiljamson, që mohoi Shoah, të mërkurën e kaluar Atë Federiko Lombardi theksoi: “Nuk mund të ishte më i qartë’ dënimi nga ana e Papës i deklaratave që mohojnë Holokaustin”.
Po të mërkurën Sekretaria e Shtetit të Vatikanit bëri të njohur një notë të posaçme për këtë problem, të cilit i kushtohet përsëri reflektimi i fundjavës i drejtorit tonë të përgjithshëm, Atë Federiko Lombardi:

“Ndërsa qetësohen dalë-ngadalë ujërat, pas diskutimeve të ditëve të kaluara, po reflektojmë paksa për të ardhmen. Në të vërtetë, gjesti bujar i Papës për t’ua hequr shkishërimin katër ipeshkvijve të shuguruar njëzet vjet më parë nga imzot Lëfevrë, nuk shikonte mbrapa, në të kaluarën e dhimbshme, që ai e njihte fare mirë, me që pikërisht kardinali Racinger qe asokohe protagonist i përpjekjeve – për fat të keq të dështuara – për të shmnagur shkëputjen. Gjesti shikonte e vijon të shikojë përpara. Por na e u desh ta provojmë edhe një herë sa e vështirë e impenjative është rruga drejt bashkimit e ndoshta tani mund ta kuptojmë edhe më mirë çfarë çmimi duhet paguar për ta fituar.
Dora e shtrirë e Papës mbetet për të gjithë një shembull i admirueshëm përvujtërie, guximi e përkushtimi për çështjen e unitetit, që i merr parasysh edhe rreziqet. E rreziqet u ndjenë me gjithë peshën e tyre, për shkak të vështirësive e të paqartësive të rrugës së ndërmarrë e të rrethanave të pafavorshme, të panjohura ose të parashikuara.Por pikërisht për këtë, vështirësia bëhet thirrje për të gjithë. Për bashkëpunëtorët e Papës e për anëtarët e Kishës, që të mos tërhiqen mbrapa – të trembur, të çorientuar ose të ngrirë në qëndrimet e tyre – në çastin e vështirësisë, duke e lënë vetëm përballë sfidës; por edhe për bashkëbiseduesit e dialogut të pajtimit, të vënë pa dyshim përballë kërkesave reale të një rruge, që duhet bërë me përvujtëri e gatishmëri ungjillore edhe nga ana e tyre, për të rindërtuar kështu bashkimin. Ashtu si herët e tjera, prova – a të themi kriza - mund të jetë shkas i disfatës, por mund të jetë edhe shkas i rritjes, i një hapi përpara. Drejt një Kishe, që nuk do të jetë më e fuqishme seç ishte më parë, por më përvujtërisht e aftë për të treguar se është vend i dashurisë e i faljes së dhuruar e të pranuar në Krishtin. Në një vend të tillë, Koncili e Tradita sigurisht nuk mund të kundërshtojnë njëri-tjetrën”.







All the contents on this site are copyrighted ©.