2009-02-07 14:04:56

Nga Kisha në botë


Irak: tri ditë “agjërimi i Ninives” për paqe, siguri e stabilitet.
“Lutje e agjërim për paqen, sigurinë e stabilitetin”: me këtë frymë në Irak Kisha kaldeje kremtoi ‘Agjërimin e Ninives’, për të kujtuar banorët e Ninives së lashtë, që u kthyen në rrugën e Zotit pas predikimit të Jonës profet. “Është një kremtim shumë i ndjekur nga banorët të cilët, duke agjëruar, i kërkojnë Zotit të ketë mëshirë e t’u dhurojë paqen, sigurinë e stabilitetin si dhe të krijojë frymën e bashkëpunimit e të vëllazërisë ndërmjet të gjithë irakianëve – shpjegon për Agjensinë Sir, vikari patriarkal i Bagdadit, imzot Shlemon Varduni. Tri ditë në zemër të javës, menjëherë pas zgjedhjeve provinciale të së shtunës së kaluar, që u realizuan pa akte dhune, gjë që është vërtetë një shenjë e mëshirës hyjnore për këtë popull të martirizuar, i cili shpreson se ushtrimi i demokracisë është e vetmja rrugë shprese për të ardhmen. e vendit.
 
Indi: sulmet kundër të krishterëve do të jenë në qendër të mbledhjes së ardhshme plenare të ipeshkvijve të ritit latin
Sulmet brutale, të planifikuara sistematikisht kundër të krishterëve në Indi vitin e kaluar, do të jenë në rendin e ditës të asamblesë plenare të Konferencës së ipeshkvijve katolikë indianë të ritit latin, që do të mbahet më 12 deri më 18 shkurt. Njoftimin, për agjensinë Ucan, e dha zevendës-sekretari i përgjithshëm i Konferencës ipeshkvnore, Atë Uduma Bala. Siç dihet 2008-ta ishte vit i zi për të krishterët e vendit, viktima të dhunës së pashembullt nga ana e fanatikëve induistë, posaçërisht në shtetin e Orisës. Prandaj të krishterët presin shumë nga mbledhja e ipeshkvijve, me temë “Fjala e Zotit, burim jete për popullsinë indiane”.

Bangladesh: veprimtaria e misionarëve saverianë për zhvillmin shoqëror e njerëzor të dalitëve.
Misionarët saverianë kryejnë prej 40 vjetësh misionin e tyre në Bangladesh, ku punojnë kryesisht për zhvillimin ekonomik, shoqëror e njerëzor të dalitëve, që konsiderohen si njerëz jashtë kaste, apo jashtë radhëve të shoqërisë. Veprimtaria e tyre përqendrohet sidomos në zonën Kuknagar me rrethina, në perëndim të Khulnës. Në një seminar me temë “Rreth varfërisë së dalitëve në Bangladesh’ organizuar kohët e fundit, në të cilin morën pjesë edhe saverianët, u vu në dukje se diskriminimi i kastave nuk ka të bëjë vetëm me popullsinë hinduiste, por prek edhe popullsinë myslimane e atë kristiane. U bëhet, prandaj, thirrje, partive politike që në legjislaturën e re, të hartojnë një ligj kundër diskriminimit. Saverianët i kanë përgatitur tashmë të rinjtë dalitë që të marrin pjesë në betejën për qytetërimin, për afirmimin e dinjitetit të tyre njerëzor, të vlerës së tyre, me një fjalë për çlirimin e ‘njerëzve të paprekshëm’, të përjashtuar nga të gjitha kastat, domethënë nga të gjitha të drejtat.

Alarm për përhapjen e ekstremizimit në Afrikë.U mbajtën këto ditë në Çeraso të Bregut të Fildishtë, punimet e Asamblesë së 17-të plenare të Konferencës ipeshkvnore zonale të Afrikës perëndimore. Të martën e kaluar ipeshkvijtë ndoqën fjalën e prefektit të Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, kardinalit Ivan Dias i cili, ndërmjet tjerash, theksoi se gjatë 45 vjetëve të fundit Konferenca zonale e Afrikës perëndimore është impenjuar me të gjitha forcat për rritjen e vazhdueshme të Kishave vendase. Duke folur për progresin e ndërkulturimit liturgjik, Hirësia e Tij nënvizoi nevojën e ungjillëzimit të kulturave, të zakoneve e të disa prirjeve, që i mbyllin njerëzit brenda etnive, kastave, klaneve e familjeve, të cilat nuk duan ta pranojnë Ungjillin. Kardinali Dias tërhoqi vëmendjen edhe mbi domosdoshmërinë e dialogut kristiano-islamik, duke kujtuar me shqetësim se kohët e fundit në Afrikë vijojnë të hapen shkolla të shumta kuranike e të lindin rryma të Islamit, të lidhura me al Kaedën, me ndikim të fortë mbi politikën e disa qeverive. Kjo kërkon nga Kisha një strategji të re të dialogut e në dialog. Detyra të dorës së parë për Kishën në Afrikë, në prag të Sinodit të saj të posaçëm, janë edhe puna baritore me familjen e mbrojtja e paqes - theksoi në përfundim kardinali Dias.







All the contents on this site are copyrighted ©.