2009-02-07 14:05:48

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 5-të gjatë vitit ‘B’


(07.2.2009 RV)RealAudioMP3 Ja  përsëri në takimin tonë javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës së Zotit të dielës së 5-të gjatë vitit kishtar, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik të kishës.
        Leximeve biblike të kësaj së diele e tërheqin vëmendjen tonë mbi problemet e rënda e njerëzisht të pazgjidhshme, atë të dhimbjes e të vuajtjes, të cilat Krishti duke u mishëruar ka ardhur t'i bashkëjetoi e ndajë me ne dhe të na mësoj çfarë do të thotë ta duash tjetrin, të afërmin.
Lajmi i mirë i shpallur nga Jezusi nuk e eliminon (zhduk)misterin e së keqes por në zemër të njeriut e ndez shkëndijën e shpresës në një Zoti që është afër dhimbjes së njeriut.
         Para jo shumë kohe, në festën e Krishtlindjes kemi kremtuar misterin e Mishërimit të Jezu Krishtit Zot dhe ende nuk kemi hyr në misterin e Pashkëve, do të thotë në misterin e mundimeve, të vdekjes e ngjalljes së Jezu Krishtit Zoti. Tema kryesore e kësaj së Diele mbi dhimbjen dhe vuajtjen përkon mirë me këtë perspektivë, sepse ndalet mbi vuajtjen njerëzore, të cilën Krishti e ka marrë mbi vete dhe e ka përjetuar thellësisht në trupin e vet gjatë tërë jetës së tij, me dashuri hyjnore, për ta shëlbuar e për t'i dhënë domethënie pozitive,  kuptuar si rikuperim të njeriut e të marrëdhënieve të tija me Zotin e me të afërmin.
         Leximi i parë i kësaj së diele është marrë nga libri i Jobit (7,1-4.6.7), është një meditim i mprehtë mbi dhimbjen njerëzore. Një fakt është i pamohueshëm: jeta njerëzore lëviz brenda një kornize të vuajtjes e të paqëndrueshmërisë. Njeriu mund të shkoj në hënë e të shpik kompjutera, mirëpo – sikur thotë Jobi – “Jeta e tij është avull”, e megjithatë – sikur pohon psalmisti – “ Njeriu është porsi lulja e fushës. Sot është e bukur, por nesër thahet e nuk ekziston më”.
Jobi, njeri i sprovuar prej shumë vuajtjesh, shpreh dëshpërimin e vet e i  drejtohet Zotit të vet. Për shkak të kushteve të vështira të dhimbjes në të cilën gjendej, Jobi në njërën prej ankimeve të tija shpreh vuajtjen e tmerrshme fizike, vuajtjen morale, e përjeton domethënien e kalimit të shpejt të jetës tokësore dhe frikën se me vdekje gjithçka përfundon në ekzistencën e njeriut. Dhe posa thekson lutjen e shpresës mbështetur vetëm në Zotin.
         Në leximin e dytë (1Kr 9.16-19.22-23), Pali apostull në letrën drejtuar Korintianëve ripohon me forcë se ka përvetësuar vuajtjen njerëzore duke u bërë krejtësisht gjithçka me të gjithë në mënyrë të veçantë me më të dobëtit, jo në saje të nismës apo të ambicies personale por pasi është kthyer në Krishtin e në saje të forcës ungjillore të cilën e ka fituar falas prej Hyjit. Pali e kumton Ungjillin me plotë përkushtim e gëzim pa kërkuar asnjë privilegj apo dobi materiale.
        Pjesa e Ungjillit të kësaj së diele nga Maku (1,29-39) na paraqet një ditë të zakonshme të Jezusit, kushtuar lutjes, predikimit, shërimit të zemrave të njerëzve. Të dielën e kaluar e pamë Jezusin duke vepruar në sinagogë në Karfarnaum; tani – thotë ungjilltari – Ai del nga sinagoga e shkon në shtëpi të Pjetrit. Pse? Sepse hapësira e Zotit është gjithkund: në tempull e jashtë. Mrekullitë e para të Jezusit në Kafarnaum, në fillim të veprimtarisë së tij publike, paraqiten si shenja e zbatim të misionit të tij për lirimin e njeriun e të gjithë njerëzve nga çdo gjë që i bënë të vuajnë e t’ia ndryshojë kuptimin e ekzistencës së tyre. Edhe për Atë fuqia e orientimi vijnë prej Atit Qiellor dhe ushqehen prej lutjes drejtuar Zotit. Jezusi bëhet gjithçka për të gjithë njerëzit për t’ua lehtësuar vuajtjet, por di edhe të rezervoj për vete kohën e heshtjes e të lutjes. Shembulli i Jezusit për çka flet pjesa e ungjillit të kësaj së diele, është mësim për ne se t’u shërbesh të tjerëve do të thotë ti shërbesh Zotit, i cili shërbehet me Jezusin për të arritur tek të gjithë bijtë e vet, në të vërtetë Jezusi është shembull për t’u imituar, e ne sot duhet të jemi duart e tij, sytë e tij, këmbët e tij, zemra e tij për të tjerët....është një lutje që thotë kështu:
Krishti nuk ka duar,
Ka vetëm duart tona për ta kryer punën e vet sot.
Krishti nuk ka këmbë
Ka vetëm këmbët tona për t’i tërhequr njerëzit pranë vetes.
Ne jemi Bibla e vetme të cilën të gjithë popujt akoma e lexojnë
Ne jemi thirrja e vetme e Zotit shkruar me fjalë e me vepra
Krishti nuk ka gojë
Ka vetëm gojën tonë për t’u folur sot njerëzve
Krishti nuk ka mjete
Ka vetëm ndihmën tonë për t’i sjell njerëzit tek vetja
Krishti nuk ka duar, nuk ka këmbë, nuk ka gojë, nuk ka mjete, por të ka ty.
Për të dashur, shërbyer e bërë mirë. E tani ti dëgjojmë së bashku leximet biblike të kësaj së diele e pastaj komentin..RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.