2009-02-06 17:14:38

Nunci apostolik në Angola, imzot Beçiu: vizita e ardhshme e Papës do të fuqizojë praninë dhe vetëdijen e krishterë të bashkësive tona.


(06.02.2009 RV)RealAudioMP3 Kisha afrikane, me nevojat e saj, por edhe me gëzimin në rritje për vizitën në Kontinent të Benediktit XVI – që do të shkojë në Kamerun e në Angola më 17 deri më 23 marsin e ardhshëm – janë këto ditë në qendër të vëmendjes në Vatikan. Ndërsa në Pallatet Apostolike është në përfundim vizita ‘ad Limina’ e ipeshkvijve të Nigerisë – sot shtatë prej tyre u pritën nga Papa – Kisha angolane vijon të përgatitet me zell të madh në qytete e fshatra, për ta pritur me krahë hapur Benediktin XVI në tokën afrikane. Për këto përgatitje, folëm me nuncin apostolik në Angolë, kryeipeshkvin Anxhelo Beçiu:

Përgjigje: - Kemi ende territore, posaçërisht në zonën verilindore, ku nuk ka arritur akoma ungjillëzimi, predikimi i Lajmit të Mirë. Kemi dioqeza të mëdha, sa Italia, me pak meshtarë, pak rregulltarë. Vetëm pak kohë më parë u emëruan ipeshkvijtë e rinj. Mendoj se ardhja e Papës në këto troje, do të jetë për ta, ashtu si për gjithë Agolën, një inkurajim i madh, që do t’i shumfishojë forcat e do të nxisë edhe Institutet e tjera misionare të vijnë këtu për t’i dhënë një dorë veprimtarisë së ungjillëzimit, që ka aq shumë nevojë për njerëz të përkushtuar e të përgatitur.

Pyetje: - Koha fluturon e arritja e Papës në Afrikë afrohet gjithnjë më shumë. Ç’mund të na thoni për atmosferën me të cilën e pret vendi, e sidomos bashkësia katolike?

Përgjigje: - Ndjehet një atmosferë pritjeje e madhe, e madhe. Për njerëzit e thjeshtë: “Vjen njeriu i Zotit, që sjell bekimin e Hyjit”. Vizita e Papës mund të jetë një ngjarje e madhe mediatike, e edhe historike, por Kisha dëshiron të vërë theksin mbi vlerën e saj shpirtërore, prandaj po i përgatit besimtarët përmes konferencave, netëve të lutjes, katekizmit. Pritja e Papës na jep rastin e mrekullueshëm të vihemi në lëvizje në të gjitha drejtimet.

Pyetje: - Angola ka filluar të marrë frymë lirisht që më 2002, me përfundimin e luftës civile. Ç’rol luajti e luan Kisha në procesin e pajtimit brënda vendit?

Përgjigje: - Vlerësimi, njohja që e kam dëgjuar në të katër anët, edhe në mjediset politike e diplomatike, ka qenë tepër pozitive. Të gjithë e kanë prekur me dorë veprimtarinë e Kishës, që i ka ndihmuar e vijon t’i ndihmojë njerëzit ta harrojnë atë pjesë të së kaluarës, që shkakton më shumë dhimbje. Këtu nuk ka familje që të mos jetë në zi, që të mos ketë humbur një bir a një bijë, një vëlla a një zotshtëpije. Prandaj Kisha, edhe përmes “Radio Ecclesia”, ka punuar vazhdimisht për vendosjen e demokracisë. Është vepër me vlerë, që vijon, në një vend plot me probleme, si ai i mbrojtjes së shëndetit, i shkollimit të fëmijëve e i drejtësisë shoqërore. Kujtojmë se Angola, në pjesën më të madhe, është katolike, por ka edhe shumë protestantë.

Pyetje: - Shtatë muaj pas shtegtimit papnor, ipeshkvijtë afrikanë do të vijnë në Romë për Sinodin e tyre: ç’ prisni nga kjo ngjarje e madhe?

Përgjigje: - Mbi të gjitha, presim t’i japë një shtytje të re punës për konsolidimin e arritjeve të deritanishme. E pastaj janë edhe sfidat e reja: ajo e modernitetit, që tashmë ndjehet edhe në këto vise, me gjithçka përmban: hedonizmin, konsumizmin, relativizmin, pa harruar sulmin e sekteve. Për mua, ky është një nga problemet më të mëdha që duhet të përballojnë ipeshkvijtë tanë gjatë Sinodit.







All the contents on this site are copyrighted ©.