2009-02-06 17:14:54

Imzot Miliore: jo përjashtimit shoqëror të të varfërve e të emigrantëve.


(06.02.2009 RV)RealAudioMP3 Për të garantuar një zhvillim të vërtetë njerëzor, duhet promovuar integrimi shoqëror i të gjithëve, posaçërisht i nevojtarëve, të varfërve, emigrantëve. Këtë nënvizoi kryeipeshkvi Çelestino Miliore, duke folur dje në Pallatin e Qelqit, në sesionin e 47-të të Komisionit për zhvillimin shoqëror. Vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së, u ndal posaçërisht tek strategjitë e nevojshme për zhvillimin e njerëzve të përjashtuar ose të diskriminuar.
Problemet e familjeve, të pleqve, të të papunëve, të emigrantëve e të gjitha grupeve, që janë subjekte të përjashtimit nga radhët e shoqërisë, duhen përballuar përmes strukturave të përshtatshme ligjore, shoqërore e institucionale – theksoi imzot Miliore - duke kujtuar edhe se zhvillimi shoqëror nuk kërkon vetëm ndihmë financiare, por edhe, e kryesisht, përfshirjen e të gjithëve në këtë proces. Prelati vërejti edhe se është e nevojshme t’u jepet njerëzve mundësia konkrete të bëhen protagonistë të zhvillimit të tyre, duke krijuar kushte jetese më njerëzore për të gjithë. Citoi, për këtë, fjalët e Benediktit XVI në Ditën Botërore të Paqes: “Zhvillimi nuk është vetëm çështje teknike; ai kërkon të tregohet vëmendje e posaçme për elementin njerëzor”.
Mjetet për integrimin e të përjashtuarve nga shoqëria – theksoi Imzot Miliore - mund të gjinden përmes aktivizimit të tyre të plotë në zhvillimin e shoqërisë. Kështu u mbrohet plotësisht dinjiteti e bëhen protagonistë të zhvillimit të tyre.
Në përfundim prelati siguroi se Selia e Shenjtë impenjohet fuqimisht në luftën për çrrënjosjen e varfërisë e për integrimin shoqëror të të gjithëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.