2009-02-05 18:36:42

U bë i njohur kalendari i kremtimeve të ardhshme, të kryesuara nga Papa


(05.02.2009 RV)Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë botoi sot kalendarin e kremtimeve liturgjike, që Benedikti XVI do të kryesojë deri në prill të ktij viti. Më 25 shkurt, Papa do të kremtojë të Mërkurën e Përhime: në orën 16.30 nga bazilika e Shën Anselmit do të niset procesioni drejt bazilikës së Shën Sabinës në Romë, ku në orën 17.00 do të kremtohet Mesha.
Nga 1 deri më 7 mars, Ati i Shenjtë do të marrë pjesë në ushtrimet shpirtërore për Kurien Romake, që do të mbahen në kapelën Redemptoris Mater të Pallatit Apostolik, në orën 9. Të martën, më 17 mars, Benedikti XVI do të fillojë udhëtimin e tij apostolik në Afrikë; do të shkojë në Kamerun dhe në Angola, nga ku do të kthehet në Vatikan më 23 mars.
Për të kujtuar Papën Gjon Pali II, në përvjetorin e katërt të vdekjes, më 2 prill, Benedikti XVI do të kryesojë një Meshë në orën 18, në Bazilikën e Vatikanit, ku do të jenë të pranishëm të rinjtë e Romës. Më 5 prill, në orën 9.30, në Sheshin e Shën Pjetrit, kremtimi solemn për të Dielën e Larit; më 9 prill në Bazilikën e Vatikanit, Mesha e Shenjtë e Bagmit e në orën 17.30 në bazilikën e Shën Gjonit në Lateran kremtimi i Darkës së Mbrame. Më 10 prill, të Premten e Madhe, Papa do të kryesojë në orën 17, në Bazilikën e Shën Pjetrit, kremtimin e Mundimeve të Krishtit, ndërsa në orën 21.15, në Koloseum, Udhën e Kryqit. Të shtunën, më 11 prill, është në program lutja e Natës së Pashkëve në Bazilikën e Vatikanit, ndërsa në ditën e Pashkëve, më 12 prill, Ati i Shenjtë do të kremtojë në Sheshin e Shën Pjetrit, në orën 10.30, Meshën, e ndjekur nga bekimi “Urbi et Orbi” në mesditë, nga llozha qendrore e Bazilikës vatikanase.








All the contents on this site are copyrighted ©.