2009-02-05 18:37:02

Në Kongo lirohen 85 fëmijë-ushtarë


(05.02.2009 RV)RealAudioMP3 Dukuria e dhimbshme e fëmijëve që merren ushtarë e detyrohen të luftojnë është një nga plagët e kontinentit afrikan. Pikërisht këto ditë në Hagë pranë Gjykatës penale po zhvillohet procesi gjyqësor kundër mercenarit Tomas Lubanga, nga Kongoja, akuzuar për krime lufte e për krime kundër njerëzimit. Në seancat paraprake kundër tij kanë dëshmuar edhe shumë fëmijë, të cilët kanë treguar sesi janë shtrënguar prej tij të marrin armët e të luftojnë. UNICEF-i bëri të ditur sot se pikërisht në Republikën e Kongos u liruan 85 fëmijë që luftonin në Kivunë veriore. Mbi këtë plagë të shoqërisë afrikane flet Luçano Bertoci, gazetar e shkrimtar italian:


Përgjigje: Mendoj se problemi i fëmijëve ushtarë është vetëm maja e ajsbergut të një problemi të madh siç është ai i shfrytëzimit të të miturve në etapat më kulmore të luftërave që bëjnë të rriturit. Kuptohet që fëmijëve është më e lehtë t’ua prishësh mendjen, mund të merren me zor e kështu që drejtuesit e luftës mund t’i përdorin pa mëshirë.

Pyetje: Përqindja e fëmijëve që arrijnë të shkëputen nga kjo përvojë dramatike është ende e vogël, apo jo? Çfarë thonë, çfarë tregojnë?

Përgjigje: Rrëfimet e tyre janë shpeshherë të ngjashme. Me fjalë të tjera, shpesh i kapin kur dalin nga shkolla, apo në treg. I kërcënojnë me armë, i vënë në provë duke iu kërkuar të vrasin ndonjë rob, apo fëmijë që është përpjekur të ikë nga lufta e që më pas është kapur. Pra, detyrohen të vrasin të tjerë që të mos i vrasin. Pastaj shpeshherë edhe i drogojnë, ushtrojnë mbi ta dhunë e mizori, i vënë në sprova të pabesueshme. Kjo është arsyeja që shumë shpejt i kthejnë në makina të gatshme për të vrarë, të gatshëm për të bërë atë që të rriturit nuk do ta bënin kurrë. Kështu që kur rriten bëhet shumë e vështirë t’i kthesh në rrugë të mbarë. Por ndodh edhe që të kalojnë nga një palë luftuese tek tjetra. Për shembull, në Ugandë, fëmijët që përdoreshin nga guerrilasit përfunduan në radhët e ushtrisë së rregullt.
Nuk duhet të harrojmë se bëhet fjalë për vende ku njerëzit nuk kanë asgjë, prandaj të mbash një armë ndër duar do të thotë që së paku i siguron vetes mbijetesën. E atëherë kur lufta përfundon, rruga e vetme për këta fëmijë, që tashmë janë rritur, është që të bëhen kusarë apo vrasës.

Pyetje: Po, a ka ndonjë rrugëdalje, si mund të organizohet një fushatë kundër përdorimit të fëmijëve në luftë?

Përgjigje: Sigurisht që duhen vendosur sanksione, por tani për tani nuk ka vullnet politik për këtë gjë, ndonëse OKB-ja e organizatat e tjera joqeveritare vazhdojnë mbajtjen nën vëzhgim të kësaj dukurie. Tani, ka ardhur koha që të kalojmë nga fjalët tek veprat. Ai që njolloset me krime të këtij lloji duhet t’i nënshtrohet drejtësisë e sido që të jetë të përjashtohet nga gjiri i bashkësisë ndërkombëtare.







All the contents on this site are copyrighted ©.