2009-02-05 17:11:05

Fjala e kardinalit Bertone në Madrid mbi të drejtat e njeriut.


(05.02.2009 RV)Kardinali Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, mbajti sot, pranë selisë së Konferencës ipeshkvnore spanjolle, në Madrid, një konferencë mbi “Të drejtat e njeriut sipas magjisterit të Benediktit XVI”, në 60 vjetorin e “Deklaratës Universale”, miratuar nga OKB-ja më 10 dhjetor 1948. Hirësia e Tij, që të martën e kaluar në Spanjë me ftesën e ipeshkvijve iberikë, u takua me Mbretin Huan Karlos I, me kryeministrin Hosé Luis Rodrigueth Zapatero dhe me liderin e opozitës, Mariano Rahoi.

Sot, në orën 12. 00, sekretari i Shtetit të Vatikanit, në përfundim të udhëtimit të tij dyditor, mbajti konferencën, gjatë së cilës theksoi posaçërisht se ‘të drejtat e njeriut lindin nga kultura evropiane perëndimore, me zanafillë të padiskutueshme të krishterë”. E kjo nuk është rastësi – vijoi. Këto të drejta bazohen mbi bindjen e trashëguar nga hebraizmi, e cila na kujton se njeriu u krijua sipas shembëllyrës së Zotit. Gjithsesi, sot, 60 vjet pas Deklaratës Universale, vërejmë një ripërkufizim krejt të ndryshëm të të drejtave njerëzore individuale i cili, i lidhur ngushtë me konceptet relativistike, po i bën këto të drejta gjithnjë më të brishta, gjithnjë më pak universale e më pak të paprekshme. Por – siç pohon Benedikti XVI – të drejtat e njeriut, e para së gjithash, e drejta për të jetuar, janë të shkruara në zemrën e njeriut, si i tillë, e u përkasin të gjithë njerëzve, që nga zënia, në vdekjen e natyrshme. Prandaj nuk mund të varen nga vendimet e mazhorancave, që ndryshojnë herë pas here, as nga kulturat e as nga gjendja shëndetësore e njeriut. Liria, paqja e drejtësia në botë – theksoi kardinali Bertone - bazohen pikërisht mbi të drejtat e njeriut. E atje ku shteti dështon në përpjekjen për t’u garantuar popullsive të veta respektimin e këtyre të drejtave, është e nevojshme që këtë përgjegjësi ta marrë mbi vete bashkësia ndërkombëtare. Kardinali i kujtoi, më pas, të drejtat e familjes, qelizë themelore e shoqërisë, të drejtat e gruas, e cila edhe sot e kësaj dite diskriminohet për shkaqe fetare, kulturore e shoqërore e, akoma, të drejtat e prindërve për zgjedhjen e lirë të edukimit të fëmijëve. Kardinali, duke vijuar të citojë Benediktin XVI, pohoi edhe se mësimi i besimit në shkollat publike përkon plotësisht me parimin e laicitetit, sepse është fakultativ e nuk hamendëson kurrfarë përkrahjeje të të vërtetave të fesë nga ana e shtetit. Vjen, pastaj, çështja e njohjes së përmasës publike të fesë, të cilën një farë konceptimi laicist, do të dëshironte ta kufizonte në sferën private e vetjake. Nuk është shprehje e laicitetit – kështu mendon Papa – armiqësia kundër çdo lloj forme të spikatjes politike e kulturore të fesë, ose kundër pranisë së simboleve fetare në institucionet publike. E nuk është laicitet i vërtetë ta quash ndërhyrje të padrejtë çdo qëndrim që mban Kisha përballë problemeve morale e shoqërore, që kanë të bëjnë me njeriun e me dinjitetin e tij, duke kërkuar, kështu, mënjanimin e pranisë së krishterë nga jeta civile e një vendi. Kisha – ripohoi Hirësia e Tij – nuk kërkon privilegje, kërkon vetëm respektim të lirisë fetare. Së fundi, kardinali Bertone bëri thirrje për veprimtari solidare në mbrojtje të të gjithë njerëzve, burrave e grave, të cilëve u mohohen të drejtat themelore, sepse mungon shpërndarja e drejtë e pasurive të tokës.

  







All the contents on this site are copyrighted ©.