Shën Jozefi nga Leonesa, një shembull që meriton të ndiqet.
(04.02.2009 RV)Lindi në Leonesë më 8 janar 1556. Në pagëzim i vunë një emër
pak si të çuditshëm, Eufrano, që nuk e kishte askush. Njihej emri Eufron, që e patën
dy shenjtorë, një që jetoi në shekullin V e një tjetër, në shekullin VI. Eufrano lind
në një familje sa të rëndësishme, aq edhe të pafat: prindërit Gjon Dezideri e Françeska
Paolini vdiqën njëri- pas tjetrit, kur Eufrani ishte ende i mitur. Pas vdekjes së
tyre, për shkollimin e jetimit u kujdes xhaxhai, Batisti, që jetonte në Viterbo.
Por më pas fëmija u sëmur e u rikthye në vendlindje, në Leonesë. Këtu u njoh me kapuçinët
e vendosi të vishte zhgunin françeskan. Ishte vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeç, kur hyri
në kuvendin e kapuçinëve të Asizit. Shtatëmbëdhjetë vjeç kreu noviciatin e bëri kushtet
e përkohshme. Ndërroi edhe emrin e nisi të quhej Jozef. Vijoi, më pas, studimet teologjike,
derisa u shugurua meshtar (1580) e nisi të predikonte në fshatrat e Italisë qëndrore. Por
ëndrra e tij ishte misioni. E këtë ëndërr e realizoi në moshën 31 vjeçare, kur Urdhëri
e nisi për në Kostandinopojë, kryeqytet i lashtë i perandorisë romake të Lindjes,
i cili prej një shekulli ishte kryeqytet i perandorisë turke, i pushtuar në vitin
1453 nga Sulltan Muhameti II, pasi mundi Konstandinin XI, perandorin e mbramë, që
ra në fushën e betejës në mes të mbrojtësve të fundit: grekë, gjenovezë e venecianë.
Edhe kryeqyteti kishte ndërruar emrin: quhej Stamboll. Turqit i lanë në vendin e tyre
patrikun e peshkopët lindorë, të ndarë nga Kisha e Romës pas shkëputjes së vitit 1094.
Ndërsa ipeshkvijtë katolikë u detyruan të largoheshin nga vendi i misionit. Ndërkaq
një pjesë e mirë e besimtarëve katolikë u kthyen në skllevër, ose u detyruan të jetonin
plotësisht të izoluar rreth kishave gjysëm të rrënuara. Kapuçinët kishin një program
misioni në kryeqytetin e Lindjes: të ndihmonin katolikët e burgosur, të sëmurë e të
pranishëm në zonë për punë e tregti. Kësaj veprimtarie do t’i kushtohej edhe vëlla
Jozefi. Por temperamenti i tij e shtyu të bëjë më shumë nga ç’i kërkohej. E menjëherë.
Mendoi t’ua kumtonte Ungjillin edhe turqve, të fliste personalisht me Sulltan Muratin
III. Madje u përpoq të hyjë në pallatin e tij. Kështu e arrestuan. E varën në një
tra e i ndezën zjarr përposht. Gjysëm i djegur, u dëbua nga Turqia e u rikthye në
Itali. Gjithnjë gati, sipas stilit kapuçin, tani nisi ta shikojë botën me sytë e atyre,
që vdesin në këmbë. Vijoi të punonte me ritme, që i dërrmonin bashkëpunëtorët e tij:
arriti të mbajë deri në shtatë predke në ditë e të pushojë pak e aspak. Mendonte
se ka shumë rëndësi edhe biseda me një njeri të vetëm, me një familje të vetme, me
një të burgosur a fatkeq të vetëm, me një që pret ekzekutimin me vdekje e ka tepër
nevojë të ketë dikënd pranë. U përpoq të ndërtojë spitale për të sëmurët, bëri punë
krahu, iu kundërvu fajdexhinjve e themeloi bankat për të varfërit, që u krijonin
mundësi të merrnin borxhe me përqindje shumë të ulëta.Kështu, kudo shkeli, ky kapuçin
i thjeshtë, u bë zëdhënës e flamur i nevojtarëve. Vdiq në kuvendin kapuçin të Amatriçes,
në moshën 56 vjeçare, nga një sëmundje me dhimbje të forta. U varros në kishën e kuvendit.
Më 1638 trupi i tij u mbart në Leonesë, ku iu kushtua një shenjtërore. U shpall shenjt
nga papa Benedikti XIV në vitin 1746.