2009-02-04 19:40:48

Notë e Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit mbi heqjen e shkishërimit ipeshkvijve të Vëllazërisë së Shën Piut X dhe mbi deklaratat negacioniste të imzot Uiljamson.


(04.02.2009 RV)Pas reagimeve, që shkaktoi Dekreti i kohëve të fundit i Kongregatës për Ipeshkvijtë, me të cilin u hiqet shkishërimi katër ipeshkvijve të Vëllazërisë së Shën Piut X dhe në lidhje me deklaratat e Imzot Uiljamson, të së njëjtës Vëllazëri, që mohojnë ose e reduktojnë Shoah, Sekretaria e Shtetit të Vatikanit bëri të njohur sot një notë të posaçme:

“Dekreti i Kongregatës për Ipeshkvijtë, datuar 21 janar 2009 – nënvizon nota – ishte një akt me të cilin Ati i Shenjtë u përgjigjej dashamirësisht kërkesave të bëra nga ana e Eprorit të përgjithshëm të Vëllazërisë së Shën Piut X. Papa deshi të hiqte një pengesë, që cënonte hapjen e portës së dialogut. E tani pret që edhe katër ipeshkvijtë të tregohen po kaq të gatshëm për bashkimin e plotë me doktrinën e me disiplinën e Kishës. Dënimi i rëndë latæ sententiæ, dhënë ipeshkvijve të lartpërmendur më 30 qershor 1988, deklaruar pastaj formalisht më 1 korrik të të njëjtit vit, ishte pasojë e shugurimit të tyre të paligjshëm nga ana e imzot Marsel Lëfevrë. Heqja e shkishërimit – vijon Sekretaria e Shtetit – i çliroi katër ipeshkvijtë nga një dënim kanonik tejet i rëndë, por nuk e ndryshoi gjendjen juridike të Vëllazërisë së Shën Piut X e cila, në çastin aktual, nuk gëzon kurrfarë njohjeje kanonike nga ana e Kishës Katolike. Edhe katër ipeshkvijtë, ndonëse u është hequr shkishërimi, nuk kanë asnjë funksion në Kishë e nuk ushtrojnë ligjërisht ndonjë shërbim në të”.

 
“Për njohjen e ardhshme të Vëllazërisë së Shën Piut X – shton nota – kusht i domosdoshëm është njohja e plotë e Koncilit II të Vatikanit dhe e Magjisterit të papëve Gjoni XXIII, Pali VI, Gjon Pali I e Gjon Pali II si dhe të vetë Benediktit XVI. Siç u pohua në dekretin e 21 janarit 2009, Selia e Shenjtë do të thellojë me të interesuarit, në mënyrat që i gjykon të përshtatshme, çështjet akoma të hapura, me qëllim që të arrihet në zgjidhjen e plotë e të kënaqshme të problemeve, shkaktare të kësaj shkëputjeje të dhimbshme”.

 
Përsa u përket qëndrimeve të imzot Uiljamson lidhur me Shoah, nota pohon se janë absolutisht të papranueshme e të dënuara ashpër nga Ati i Shenjtë, siç e vuri Ai vetë në dukje më 28 janarin e kaluar kur, duke kujtuar këtë genocid të egër, ripohoi solidaritetin e tij të plotë e të padiskutueshëm me Vëllezërit tanë të Besëlidhjes së parë. Papa pohoi edhe se kujtesa e këtij genocidi duhet ta nxisë njerëzimin të reflektojë mbi pasojat e paparashikueshme të së keqes, kur arrin të pushtojë zemrën njerëzore, duke shtuar urimin që Shoah t’u kujtojë të gjithëve se kjo tragjedi nuk duhet harruar, nuk duhet mohuar e as reduktuar, me bindjen se dhuna e ushtruar vetëm mbi një njeri, është dhunë kundër të gjithëve. Ipeshkvi Uiljamson, për t’u pranuar në funksionet ipeshkvnore të Kishës, duhet edhe të distancohet në mënyrë absolutisht të padiskutueshme e publike nga qëndrimet e tij lidhur me Shoah, për të cilat Ati i Shenjtë nuk kishte dijeni në çastin e heqjes së shkishërimit.

 
Ati i Shenjtë – përfundon Nota e Sekretarisë së Shtetit – u kërkon të gjithë besimtarëve të luten që Zoti ta ndriçojë rrugën e Kishës. Të rritet impenjimi i barinjve dhe i gjithë besimtarëve në mbrojtje të misionit delikat e të vështirë të Pasardhësit të Apostullit Pjetër si ‘rojtar i bashkimit në Kishë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.