2009-02-04 16:25:56

Kryeipeshkvi i Kolombos organizon një Ditë lutjeje për paqen në Sri Lankë


(04.02.2009 RV)RealAudioMP3 Në Sri Lanka, siç tha edhe Papa, përjetohen çaste të rënda tensioni ndërmjet ushtrisë qeveritare dhe separatistëve Tamil në zonën e Mulaitivut, kështjella e fundit e rebelëve. Qeveria e Kolombos u ka kërkuar rreth 250 mijë civilëve të largohen nga shtëpitë e tyre, pasi nuk është në gjendje t’i mbrojë. E gjithë kjo ndodh në 61-vjetorin e pavarësisë së ishullit. Me këtë rast, kryeipeshkvi i Kolombos, imzot Osvald Gomis e ka ftuar bashkësinë katolike të mblidhet në një “Ditë lutjeje për paqen e përparimin e kombit”. Të dëgjojmë vetë prelatin në mikrofonin tonë:
Përvjetori i pavarësisë kremtohet në një çast vendimtar për historinë tonë dhe për konfliktin ndërmjet ushtrisë qeveritare e militantëve separatistë Tamil. Popullsia civile kërkon që lufta t’ia lëshojë vendin zgjidhjeve politike, të pranueshme për të dyja palët. Të gjithë qytetarët e këtij vendi janë të barabartë, e të gjithë janë të lirë të jetojnë e të punojnë për lumturinë e plotë, në respektin e çdo etnie, feje apo përkatësie politike. Si në veri, ashtu edhe në jug, njerëzit duhet ta ndjejnë veten të lirë e të aftë për ta ushtruar këtë liri.
Cilat janë pasojat e kësaj lufte të gjatë?
Duhet të jemi të vetëdijshëm për numrin e madh të personave në të gjithë vendin, që pësojnë efektet e kësaj lufte: akoma kemi mijëra të zhvendosur, që jetojnë në kushte shumë të këqia. Është e domosdoshme që kushtet e tyre të jetesës të përmirësohen sa më shpejt. Nëse duam që Sri Lanka të mbetet e bashkuar, duhet të jemi të sigurtë që çdo njeri, qytetar i këtij vendi, mund të gëzojë të drejta të barabarta me etnitë e tjera, pavarësisht nga dallimet. Ne i kemi vënë detyrë vetes të inkurajojmë e të mbrojmë interesat e qytetarëve. Ka pasur shumë viktima nga të dyja palët në konflikt: janë me mijëra të gjymtuarit dhe personat me të meta fizike e mendore. Njëkohësisht, me mijëra janë edhe civilët e pafajshëm që kanë vuajtur shumë. Plagët e kësaj tragjedie do të mbeten të hapura për një kohë të gjatë. Ato duhet të shërohen në kohën më të shkurtër të mundshme e kjo është një detyrë serioze për të gjithë ne në vitet që vijnë.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.